Gjermania dhe Britania e Madhe kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak përmes një kontrate të përbashkët prokurimi me vlerë rreth 72 milionë dollarë (afërsisht 61 milionë euro) për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë, raportuan sot mediat, sipas “Euronews”.
Marrëveshja parashikon blerjen e sistemeve të artilerisë “RCH 155”, të montuara mbi mjete të blinduara, të afta të qëllojnë edhe gjatë lëvizjes dhe të godasin objektiva në një distancë mbi 70 kilometra.
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, kontrata do t’i sigurojë fillimisht Ushtrisë Britanike një njësi demonstrimi të sistemit “RCH 155”. Ndërkohë, dy njësi të tjera janë planifikuar për Gjermaninë, ku do të përdoren për testime.
Sistemi “RCH 155” do të prodhohet nga kompania franko-gjermane e mbrojtjes “KNDS”, në bashkëpunim me “Rheinmetall”. Ministria britanike thekson se ky sistem mund të qëllojë deri në tetë predha në minutë dhe operohet nga vetëm dy ushtarë.
Gjithashtu, artileria e re ka një autonomi të konsiderueshme, duke qenë në gjendje të përshkojë deri në 700 kilometra pa nevojë për furnizim me karburant.
Berlini dhe Londra kishin rënë dakord që në muajin maj për një projekt të përbashkët armatimi, duke vendosur të avancojnë zhvillimin e një arme precize me rreze të gjatë veprimi. Ky projekt shihet si një bazë strategjike për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e armëve moderne.
Qëllimi kryesor është zhvillimi i kapaciteteve për të ashtuquajturat goditje precize në thellësi, të cilat mund të përdoren për të goditur objektiva thellë në territorin e kundërshtarit.
