Gjermania dhe SHBA- të theksuan të hënën nevojën për të ushtruar presion mbi presidentin rus Vladimir Putin që të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë, ndërsa Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u takua me senatorin amerikan Lindsey Graham në Berlin.

“Unë dhe Lindsey Graham jemi dakord: Evropa dhe #SHBA duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Putinin”, tha Wadephul në X.

“#BE do të vendosë sanksione të mëtejshme. #Putini duhet më në fund të bjerë dakord për një armëpushim të menjëhershëm pa kushte dhe të ulet në tryezën e negociatave.”

Ukraina dhe Rusia zhvilluan raundin e dytë të bisedimeve në Stamboll të hënën. Turqia gjithashtu është ofruar të mbajë një samit udhëheqësish.

Megjithatë, Rusia deri më tani ka refuzuar një armëpushim në Ukrainë, ku vazhdon luftën e saj që nga shkurti i vitit 2022. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përpjekur t’i japë fund luftës përmes diplomacisë që nga inaugurimi i tij në janar.

Ndërkohë, BE-ja po përgatit paketën e 18-të të sanksioneve që synojnë të ardhurat e energjisë së Rusisë, tha të hënën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Javën e kaluar, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Berlini do të rriste presionin mbi Rusinë për t’u angazhuar në bisedime paqeje me Ukrainën, duke paralajmëruar për sanksione të mëtejshme nëse Moska vazhdon të refuzojë negociatat.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë. Po e bëjmë këtë për të dobësuar makinën e luftës së Moskës. Por po e bëjmë këtë edhe për të hapur rrugën për negociata”, tha Merz në një konferencë për shtyp së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb