Nga: JORGJI KOTE*
Ribashkimi gjerman, 25-vjetori i të cilit festohet më 3 tetor, ka hyrë në historinë moderne të pasluftës së II Botërore, si ngjarja më e madhe me rrjedhoja epokale. Dihet tashmë se shembja e Murit të Berlinit që i hapi rrugën ribashkimit gjerman dhe atij evropian nuk erdhi vetvetiu, as “në tavolinë”, apo si rezultat vetëm i tratativave dhe kulisave diplomatike. Në fakt, atë ditë historike, “të mëdhenjtë” e botës sanksionuan vullnetin e shumicës dërmuese të popullit gjerman në të dyja pjesët e saj. Kuptimi i drejtë i këtij realiteti historik ndihmon shumë si kur i referohemi së kaluarës, ashtu dhe të ardhmes. Për më tepër se gjatë këtij viti jubilar, krahas vlerësimeve pozitive që janë mbizotëruese, Gjermania dhe liderët e saj janë bërë dhe objektiv sulmesh, aludimesh dhe insinuatash jo të pakta. Ka pasur e ka raste kur shkohet deri aty sa të mohohen dhe meritat e ribashkimit gjerman, që begatia dhe lulëzimi i saj ekonomik t’i atribuohet gjoja shfrytëzimit ekonomik të vendeve të tjera, etj. Kjo është vërejtur edhe javët e fundit, pas bujarisë dhe mikpritjes së jashtëzakonshme që po tregojnë si shoqëria, ashtu edhe politika gjermane për qindra mijëra azilkërkues.
Në këto kushte, pa qenë nevoja për referime emrash, tituj, analiza dhe dizertacionesh akademike, mjafton të bësh një udhëtim qoftë dhe kalimthi në kohë dhe mund të shihet se historia e 70 viteve të kaluara dhe sidomos e çerekshekullit të fundit dëshmon pakundërshtueshmërisht se Gjermania përfaqëson një histori të madhe suksesi, një kampione të vërtetë të paqes, begatisë ekonomike, sigurisë dhe demokracisë në Evropë dhe në botë. Në disa raste, zhvillimi i vrullshëm gjermano-perëndimor pas vitit 1945 tentohet të shpjegohet thjesht dhe vetëm me paketën gjigante të ndihmave amerikane në kuadrin e Planit Marshall. Ky i fundit padyshim pati ndikim të konsiderueshëm dhe shpëtimtar, por gjithsesi vetëm ai nuk mund të shpjegojë modelin e arritur social- ekonomik gjerman. Sepse nga Plani Marshall përfituan dhe vende të tjera perëndimore, madje më të mëdha e jo të ndara më dysh si Gjermania, por pakkush u bë si Gjermania, me gjithë shkatërrimin e saj të pashoq pas Luftës së II Botërore! Kemi parë më vonë se ka pasur dhe ndonjë vend, të madh e të vogël, që ka hyrë dhe në BE, ka vjelë miliarda prej saj, por sot është në krizë të paparë!
Në fakt, aktori dhe faktori vendimtar që nga rrënojat shkatërrimtare të luftës krijoi një model të qëndrueshëm social-ekonomik dhe demokratik ishin populli punëtor gjerman, me përkushtimin e tij maksimal dhe i drejtuar nga politikanë të shquar, kurajozë dhe vizionarë. I pari që filloi të merrej me sfidën madhore të paqes ishte Kancelari 73- vjeçar Konrad Adenauer, “babai” i Gjermanisë moderne, që hodhi spirancat e pajtimit historik të brendshëm dhe të jashtëm. Këtu spikati pajtimi historik me ish-armiken e saj tradicionale, Francën, me të cilën kishte zhvilluar jo pak, por 27 lufëtra gjatë tre shekujve të fundit. Së bashku me Italinë, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun ato themeluan BE-në, që pavarësisht nga krizat dhe problemet tejet serioze, është dhe do të mbetet projekti dhe grupimi demokratik më i madh dhe më tërheqës në botë. Por ka njerëz dhe forca politike që e kritikojnë, madje dehe e anatemojnë BE-në, por sërish asnjë nuk do të ikë prej saj; përkundrazi të gjithë duan të shkojnë atje dhe në radhë të parë në Gjermani.
Krahas Adenauerit, ishte ministri legjendar i Ekonomisë, Ludwig Erhard që për 14 vjet rresht e çoi vendin drejt mrekullisë social-ekonomike. Ashtu siç e tregon në “best sellerin” e tij “Mirëqenie për të gjithë” Erhardi ndërtoi në praktikë një sistem social dhe ekonomik të prekshëm e të favorshëm për të gjithë njerëzit e thjeshtë që u rezistoi furtunave dhe stuhive të kohës, pa marrë dhe pa kërkuar asnjë cent nga të tjerët. Brenda 10 vjetëve u realizua punësimi dhe strehimi i plotë, ekonomia rritej me 8 për qind çdo vit, prodhimi industrial 150 për qind, eksporti filloi të kontribuonte me shifrën rekord botëror prej 25 për qind të GDP-së, duke e ruajtur deri në ditët e sotme këtë “pole position” në tregjet botërore. Këto u realizuan me sakrifica dhe reforma të tilla strukturore, që i detyruan gjermanët të shtrëngonin si askush rripin dhe kuletën, por të bindur në suksesin e ardhshëm.
Veç kësaj, për një vit rresht, nga qershori 1948 deri në maj 1949, me ndihmën e aleatëve të saj amerikanë dhe britanikë, RFGJ-ja dhe Berlini Perëndimor përballoi bllokadën e parë të egër tokësore të Stalinit nëpërmjet tokës dhe detit, falë Urës legjendare Ajrore të Tempelhofit në Berlin. Gjatë asaj periudhe historike u bënë 1000 fluturime në ditë, dmth. në çdo 90 sekonda ngrihej dhe ulej një avion i forcave aleate me ushqime dhe artikuj të tjerë jetikë për 2 milionë banorë të Berlinit Perëndimor. Ishte kjo fitorja e parë e madhe e Perëndimit mbi Lindjen.
Falë këtyre arritjeve, Gjermania Perëndimore e ndryshoi tërësisht imazhin e saj publik brenda dhe jashtë vendit. Në çdo aspekt ajo u kthye në një “vitrinë” të vërtetë për pjesën lindore. Ndaj dhe gjermano-lindorët filluan të emigrojnë masivisht në perëndim, duke e detyruar regjimin e Hrushovit dhe Honekerit më 1961 të ngrenë Murin e Berlinit. Por, sërish shkëlqeu gjenialiteti i liderëve emblematikë gjermanë, që dolën në skenën politike në momente vendimtare. Tashmë ishte social-demokracia që nxori “asin” e saj, Kancelarin nobelist Brandt me “Ostpolitikën”, që kërkonte ndryshimin e sistemit lindor nëpërmjet afrimit dhe bashkëpunimit, pra ura, jo mure, begati, jo varfëri, integrim, jo izolim!
Mirëpo ka nga ata që aludojnë se Gjermania Perëndimore pikërisht gjatë procesit të ribashkimit ka shfrytëzuar ekonomikisht pjesën lindore. Kur faktet tregojnë të kundërtën. Gjermania Perëndimore shpenzoi fillimisht plot 170 miliardë euro dhe vazhdon të kontribuojë për pjesën lindore me 5 për qind të GDP-së së saj. E, nëse ka ende dhe sot pas 25 vjetësh dallime jo të vogla me pjesën lindore, kjo ka ndodhur sepse as skeptiku më i madh nuk mund ta imagjinonte në atë kohë prapambetjen e madhe ekonomike të lindjes dhe hendekun kolosal ndërmjet dy pjesëve. Dhe bëhet fjalë për të reformuar një vend lindor me 20 milionë banorë, me një industri gjigante, por jo rentabël. Madje, ekonomistë të njohur pohojnë se nga pikëpamja ekonomike, ribashkimi nuk justifikohej e ndaj duhej shtyrë në kohë! Çka do të thoshte të zgjatej më tej agonia e popullit, që natyrisht ishte e papranueshme politikisht.
Mirëpo, shpenzimet e lartpërmendura e penguan Gjermaninë e atëhershme të bënte reformat e duhura të tregut si vendet e tjera të mëdha. Kjo krijoi probleme dhe vështirësi në funksionimin e ekonomisë dhe rritjen e papunësisë, që në vitin 2001 kaloi shifrën rekord të 5 milionë vetëve.
Në këto kushte, ish-Kancelari Schroder që fitoi mbi Kohlin, Kancelarin e legjendar të ribashkimit në vitin 1998, në vend që të akuzonte paraardhësin për këto vonesa të justifikueshme, mori përsipër përgjegjësinë politike me çdo çmim, tipar ky dallues i liderëve gjermanë. Edhe pse e dinte se e ardhmja e tij politike ishte në rrezik, ai nuk hezitoi përballë pakënaqësive dhe kundërshtimit brenda radhëve të partisë së vet të lançonte paketën historike social–ekonomike të quajtur “Agenda 2010” i humbi zgjedhjet e parakohshme, që i shpalli vetë për këtë qëllim vetëm për tri vende në Parlament kundrejt Kancelares së ardhshme, Angela Merkel.
Por, kjo e fundit, në krye të koalicionit të madh qeveritar me social-demokratët i zbatoi linjat e përgjithshme të “Agenda 2010”. Vetëm disa ditë më parë, e pranishme në promovimin e Biografisë së Schroderit në Berlin, ajo e vlerësoi me superlativa këtë axhendë. Vitet që pasuan dhe dinamizmi i pashoq i ekonomisë gjermane në vitin 2010 e në vijim, kur vendet e tjera pothuajse u dorëzuan përballë dallgëve të krizës së madhe financiare, dëshmuan për vizionin dhe drejtësinë e kësaj reforme të guximshme. Kështu, papunësia në Gjermani sot është në nivelin më të ulët qysh nga viti 1991 vetëm me 2, 7 milionë të papunë. Së bashku me treguesit e tjerë, ku Gjermania është në majat botërore, si teknologjia, kërkimet, eksporti, etj., kjo shënoi “mrekullinë e dytë social-ekonomike” gjermane në 50 vitet e fundit.
Natyrisht që skandali i ditëve të fundit me gjigantin e prodhimit të automobilave “Volkswagen” la njollën e vet jo të vogël në perceptimin publik të kryemarkës “Made in Germany”, por gjithsesi, kjo është diçka e përkohshme që ka filluar menjëherë të riparohet dhe shumë shpejt do t’i përkasë së kaluarës, sipas parimit “përjashtimi nuk e prish rregullin”.
Tipar tjetër dallues i produktit tërësor “Made in Germany” është se ky zhvillim ekonomik e social është shoqëruar me “fanatizëm” me forcimin e demokracisë dhe të shoqërisë civile në të gjitha elementët e saj. Përvoja e hidhur e dy luftërave botërore dhe deficitet demokratike të Republikës së Vaimarit kanë shërbyer si udhërrëfyes që lidershipi dhe politika gjermane të mbushin çdo boshllëk e hendek që mund të ketë mbetur ose që krijohet gjatë kohës. Gjermania përbën ndër rastet më të rralla, ku niveli i lartë demokratik i shoqërisë është pothuajse në të njëjtën lartësi me sofistikimin ekonomik dhe social, duke shërbyer bashkë me SHBA-të si pikë madhore referimi.
Në këtë kuadër, gjatë 70 viteve të fundit, Gjermania është shquar edhe për tolerancën, respektin dhe reflektimin ndaj krimeve të nazizmit, duke filluar nga holokausti. Edhe pse jofajtorë, të gjithë liderët gjermanë të pasluftës e kanë bërë ritual politik dhe moral ndjesën dhe pendesën kolektive politike të shoqëruar me akte dhe veprime praktike deri dhe në kompensimin e plotë financiar të viktimave të holokaustit. 10 vjet më parë, në zemër të Berlinit, vetëm disa metra larg bunkerit të Hitlerit është ngritur Memorali i Holokaustit; ndërsa 45 vjet më parë, ish-kancelari nobelist Brandt, bëri përuljen monumentale pëpara memorialit të getove hebrenj në Varshavë, e cila bëri xhiron e botës dhe hyri në legjendën brandiane. Gjermania përbën gjithashtu ndër modelet më të mira në Evropë lidhur me respektin dhe tolerancën ndaj personave dhe grupeve me orientime të ndryshme, politike, fetare dhe shtresave të margjinalizuara. Vërtet ka dhe shfaqje të dhunës, ksenofobisë dhe urrejtjes ndaj të huajve; gjithsesi ato mbeten pakicë dhe në periferi të politikës dhe shoqërisë gjermane. Kjo po shihet qartë edhe tani me rastin e ardhjes së qindra mijëra azilkërkuesve dhe “kulturës së mikpritjes” në kuptimin më të gjerë të saj.
Në fakt, kjo e fundit për të cilën po flitet e shkruhet aq shumë nuk është diçka e re dhe e panjohur; as vetëm në këmbim të solidaritetit që treguan vendet e tjera ndaj refugjatëve gjermanë pas Luftës së I dhe të II Botërore; as vetëm më 1991– 1992 dhe 1999, kur Gjermania priti dhe strehoi me mijëra shqiptarë, boshnjakë dhe shqiptarë të Kosovës. Në fakt, qysh më 1671, Gjermania mirëpriti me mijëra refugjatë nga vende të tjera, përfshirë dhe huguetët protestantë nga Franca. Më 1812, jo vetëm priti mijëra hebrenj, por u dha atyre edhe të drejtën të punonin në çdo lloj profesioni. Kjo kulturë u ndërpre dhunshëm nga regjimi hitlerian, për t’u ripërtërirë sërish në vitet dhe dekadat e mëpastajme.
Kështu që dhe javët e fundit, mikpritja gjermane vetëm se u rikonfirmua në gjithë madhështinë e vet, sepse ajo është pjesë përbërëse e kulturës demokratike të popullit, shtetit dhe shoqërisë gjermane gjatë 70 viteve të fundit. Vërtet ra më shumë në sy se këtë radhë bëhet fjalë për gati 1 milion vetë, aspektit tragjik, por edhe dallimet me qëndrimet e disa vendeve të tjera anëtare, në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane, të cilat ato kanë predikuar kur aderuan në BE.
Në një plan më të gjerë, këtë solidaritet të rrallë në llojin e vet, Gjermania e ka shpalosur gjatë 25 viteve të ribashkimit edhe për vendet e Evropës Juglindore dhe sidomos Shqipërinë, që aspirojnë për paqe, stabilitet dhe demokraci. Berlini i ribashkuar është ndër të parët që ka mbështetur integrimin tonë Euro-Atlantik dhe pavarësinë e Kosovës. Trupat e tij ushtarake dhe civile kanë qenë aktive në Prishtinë, duke kryesuar misionin e UNMIKU-t dhe forcat e NATO-s. Në vitin 1999 Gjermania, si kryesuese e BE-së në bashkëpunim me SHBA-të dhe partnerë të tjerë krijoi Paktin e Stabilitetit dhe lançoi procesin e stabilizim–asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa vitin e kaluar, Kancelarja Merkel lançoi “Procesin e Berlinit” në përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re të fuqishme dialogut politik dhe reformave ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Së bashku me SHBA-të dhe partnerët e tjerë madhorë, ku Shqipëria ka vendin e vet të merituar, Gjermania ka qenë dhe mbetet e angazhuar në të gjitha planet, në vatra të shumta dhe serioze krizash në Irak, Afganistan dhe gjetkë.
Vlen të theksohet se me gjithë përfshirjen e saj të gjerë politike dhe ushtarake në këto procese jetike dhe afatgjata, Gjermania është dhe ndër donatorët më të mëdha të botës me fonde kolosale financiare për proceset e paqes dhe demokracisë. Kështu, veç planit dypalësh, Gjermania është kontribuuesi më i madh financiar i BE-së me gati 25 për qind të GDP-së së saj. Ajo renditet e treta pas SHBA-ve dhe Japonisë lidhur me kontributin për OKB-në me rreth 10 për qind. Është kontribuuesi më i madh i ndihmave për zhvillim e të tjera e të tjera. Dhe së fundi, është huadhënësi më i madh i Greqisë me 86 miliardë euro.
Krahas aktorëve dhe faktorëve të lartpërmendur e sidomos shoqërisë civile, medias dhe opinionit publik, ajo që e bën diferencën në rastin e demokracisë gjermane janë dhe liderët e saj më të lartë, të majtë e të e të djathtë – Adenauer, Brandt, Schmit, Kohl, Schroder dhe deri te Kancelarja e tanishme, Merkel. Kjo, falë besueshmërisë së tyre të padiskutueshme, dëshmive bindëse e të vazhdueshme për vizionet, kurajën dhe integritetin e pacenuar politik dhe qytetar. Ja, shihni Kancelaren Merkel; asnjë aludim apo kritikë, se për akuza nuk bëhet fjalë, edhe pse ka plot 10 vjet si Kancelare dhe 15 vjet në krye të CDU-së! Edhe ndonjë rast negativ në të kaluarën jo vetëm që është dënuar prerazi, por janë nxjerrë mësimet përkatëse.
Kësisoj, sot në kushtet e krizës që ka përfshirë BE-në dhe disa vende anëtare, kur po vihen në diskutim vlerat, imazhi dhe besueshmëria e saj, shembulli dhe modeli gjerman shërben si pikë madhore referimi, ku gjithkush mund e duhet të mësojë, në radhë të parë nga fryma gjermane. Gjermania bashkë me vende të tjera të BE-së konfirmon fuqishëm se projekti evropian me gjithë sfidat e tij serioze, do të ecë dhe funksionojë si përherë; se BE-ja dhe Gjermania janë rritur dhe forcuar duke kapërcyer kriza, probleme dhe vështirësi nga më seriozet. Ndaj, 25- vjetori i ribashkimit gjerman shërben edhe si moment kujtese i këtij realiteti sfidues.
Artikullshkruesi ka shërbyer si diplomat në Berlin dhe është autor i librit “Berlini pa Mure”
(g.b/GSH/BalkanWeb)
