Në Gjermani, përfaqësuesit kryesorë të qeverisë kanë ndërmarrë një aktivitet intensiv diplomatik e ekonomik në disa vende të botës.

Në këtë kuadër vërehet edhe një afrim i dukshën i Berlinit me Romën.

Analisti i DW, Auron Dodin shpjegoi për News24 se çfarë pritet nga ky aktivitet i shtuar diplomatik i Berlinit.

News24: Si shpjegohet aktiviteti aktual intensiv në politikën e jashtme qeverisë gjermane?

A.Dodi: Me të vërtetë kemi një aktivitet intensiv diplomatik nga qeveria. Që të sjell në mendje ndoshta periudhën tri-katër vjet më parë, kur me nisjen e luftës në Ukrainë u ndërprenë furnizimet me gaz nga Rusia dhe Gjermania kërkoi tregje të reja.

Tani është “nën presion” aleanca me SHBA. Dhe është jo vetëm Gjermania, por edhe fuqi të tjera të mesme perëndimore, p.sh. edhe Kanadaja, që po kërkojnë partnerë në botë.

Kancelari Friedrich Merz vizitoi këtë javë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul po viziton Australinë, Zelandën e Re, Singapurin, Tongan dhe Brunein.

Si shpjegim: kancelari Merz tha se “na duhen partneritete të tilla… në një botë ku fuqitë e mëdha dominojnë politikën.” Ai tha se kështu do të ruajmë lirinë, sigurinë dhe mirëqënien tonë. Ndërsa ministri i jashtëm Wadephul tha se “nuk ka vakum pushteti askund në botë, ai mbushet nga ata që janë ta pranishëm”.

News24: Pse vendos Gjermania në këtë moment të intensifikojë bashkëpunimin pikërisht me vendet e Gjirit? Ato njihen edhe për trajtim brutal të të drejtave të njeriut?

A.Dodi: Kancelari tha se e kishte trajtuar temën e të drejtave të njeriut në të gjitha takimet me shtetet e Gjriit. Por shtoi se „këtë unë e bëj pas dyerve të mbyllura“.

Me shtetet e Gjirit, Gjermania ka interesa të përbashkëta në politikën tregtare. Më tej: Arabia Saudite dëshiron të modernizojë vendin e vet, ndërsa Gjermania dëshiron ta rinovojë Gjermaninë. Shtetet e Gjirit janë shtete të pasura, që duan të investojnë qindra miliarda dollarë për modernizim. Në fund të fundit, siç u shpreh ministri i jashtëm Wadephul “shumë shtete duan të bashkëpunojnë me ne”. Sauditët janë shumë të interesuar për teknologjinë gjermane, si për inxhinierinë e ndërtimit, të punimeve nëntokësore, por edhe për armatimin gjerman.

Përpara kësaj (12.01.-13.01.), kancelarin Merz e pritën me shumë ngrohtësi edhe në Indi. Atje ai nënshkroi 19 marrëveshje, përfshirë edhe mbajtjen e manovrave të përbashkëta detare dhe ajrore.

News24: Nga udhëtimet, veçanërisht tërhoqi vëmendjen takimi i Merzit me kryeminstren italiane Meloni. Në shtypin gjerman madje u fol se Berlini e zëvendësoi Macronin me italianen Melonin. A është e vërtetë kjo?

A.Dodi: Fakt është se Friedrich Merzin e shoqëruan në Romë dhjetë ministra gjermanë, gjysma e qeverisë. Atje, Berlini dhe Roma u shprehën demonstrativisht të të njëjtit mendim thuajse për të gjitha çështjet për të ardhmen e Evropës. Të dyja palët ranë dakord në një dokument që të forcojnë koordinimin në çështjet evropiane. Të dy duan të frenojnë imigrimin e paligjshëm; të rrisin riatdhesimet. Do të ketë më shumë projekte të përbashkëta për mbrojtjen.

Merzi dhe Meloni janë veçanërisht të të njëjtit mendim, për sa i përket politikës ekonomike. Duan edhe më pak burokraci.

News24: A po lind këtu një bosht i ri Berlin-Romë, siç spekuluan disa medie?

A.Dodi: Korrespondentë që e përjetuan vizitën e kancelarit në Romë konstatuan se midis Merz-it dhe Melonit po zhvillohet një miqësi e ngushtë. Meloni është politikisht stabile, në dallim nga Emmanuel Macron-i. Ajo ka të njëjtin qëndrim si kancelari Merz për Presidentin Trump, siç doli në pah edhe në deklaratat për Bordin e Paqes; mendon ngjashëm për Ukrainën dhe për tregtinë botërore.

Giorgia Melonit i përshtatet interesi gjerman, pasi do që Italia të merret seriozisht në Evropë. Një rol drejtues për Italinë në Evropë është pjesë integrale e imazhit të Melonit. Po, konsultimet, i nxitën disa të flasin për një bosht të ri Berlin-Romë. Por në Gjermani përgjithësisht nuk preferohet të quhet i tillë, edhe për shkak të historisë.

News24: Po bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Francës, si zhvillohet aktualisht?

A.Dodi: Publikisht nuk ka ftohje, por ka ndryshime nga maji vjet, kur erdhi në pushtet Merz-i. Kur Merz-i mori pushtetin, përmirësimin e marrëdhënieve me Francën e shpalli prioritet. Që në gusht u miratuan njëzet “projekte qendrore”. Por euforia është zbehur.

Disa vëzhgues shohin si një faktor vendimtar për afrimin e Merz-it me Melonin, faktin se marrëveshjen e Mercosurit ai arriti të miratonte vetëm me ndihmën e Italisë. Franca e kundërshtoi, edhe pas 25 vjet negociatash të BE me shtetet e Mercosur-it.

Në Berlin janë të acaruar nga qëndrimi bllokues francez për prodhimin e avionit të përbashkët luftarak të së ardhmes. Ky projekt rrezikohet të falimentojë.

Fërkime ka edhe për qëndrimin ndaj Ukrainës. Iniciativa e Macronit për të ftuar në Paris Presidentin rus Putin, në kuadër të G-7-ës, (fakt që e publikoi Presidenti Trump) pa rakordim me Gjermaninë, u prit me habi në Berlin.

News24: Megjithatë, Franca është ushtarakisht e fortë në Evropë

A.Dodi: Po, kjo është e vërtetë. Por edhe analistë francezë konstatuan së fundi se Parisi e ka të vështirë “strukturalisht”, kur Berlini konsolidon pozicionin si lojtar politik dominues. Ata kanë regjistruar se Merzi është shumë i pranishëm ndërkombëtarisht. Edhe ushtarakisht, kujtojnë se Berlini dëshiron të ndërtojë ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë. Ndërsa Franca përballet mjerisht me një borxh mbytës, që e kufizon në disa drejtime.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb