NGA DORJANA BEZAT*
Njohja e Shqipërisë si vend i sigurt i origjinës ka zeruar mundësinë që shqiptarët të përfitojnë azil në Gjermani. Me rregullat e vjetra, procedurat për kthimin e azilkërkuesve zgjasnin rreth 1 vit dhe gjatë kësaj kohe aplikantët trajtoheshin me ndihma financiare, u sigurohej ushqimi dhe strehimi. Ditën e martë, më 20 shtator, Qeveria Federale ka vendosur një paketë masash për të përshpejtuar procedurat për dëbimin më të shpejtë të azilkërkuesve që u është refuzuar kërkesa për qëndrim në këtë vend.
Siç ka bërë të ditur gazeta gjermane “Bild Zeitung” në botimin e së mërkurës, bashkëpunëtorët e Kancelares Angela Merkel kanë njoftuar se Qeveria Federale është duke planifikuar, ndër të tjera, përveç fluturimeve të planifikuara të linjave të rregullta, edhe përdorimin e avionëve ushtarakë gjermanë të tipit “Transall” dhe pilotët e Forcave Ushtarake Federale(Bundesëehr) për deportimet e azilkërkuesve nga Gjermania.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Von Der Lajen ka thënë se, është i mundur përdorimi i avionëve ushtarakë për deportimin e azilkërkuesve, megjithëse nuk ka ende një vendim për ta shndërruar në realitet planin e Kancelares gjermane. Vetëm këtë vit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme gjermane, të paktën 37 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil. Një tjetër masë për të përshpejtuar largimin nga kampet është ajo e moslajmërimit të mëparshëm të personave që do të kthehen në atdhe.
Është bërë e ditur që azilkërkuesve nuk do t’u njoftohet fare koha e kthimit, përkatësisht dëbimit; kjo në mënyrë që azilkërkuesit të mos ikin nga vendbanimet ku janë vendosur nga institucionet gjermane. Përveç kësaj, kriteret e tolerancës, që në Gjermani njihen edhe si “DulDung”, do të rishikohen dhe do të bëhen më rigoroze. Zyra e Kancelares Merkel ka informuar krerët e kancelarive të Landeve të martën pasdite, në një video-konferencë për planet në fjalë, shkruante gazeta gjermane “Bild Zeitung”.
Kancelarja Angela Merkel kishte bërë thirrje kohët e fundit për përshpejtim të procesit të azilkërkuesve të refuzuar. Kancelarja më herët ka thënë se i kupton kritikat që procesi i deportimit nuk po shkon si duhet dhe se për këtë edhe ajo do të ndërmarrë masa, për kthim masiv të sidomos 100.000 azilkë-rkuesve nga Shqipëria e Kosova në këto vende, por edhe azilkërkuesve të tjerë nga Ballkani Perëndimor, raporton një tjetër medie gjermane, “Gazeta Blic”. Sipas përllogaritjeve, kuota e njohjes së azilkërkuesve nga Ballkani nuk mbërrin as në 1 për qind, kurse prania e tyre në këtë shtet vetëm këtë vit është pothuajse e barabartë me refugjatët që vijnë nga Siria. Qeveria e Gjermanisë ka vendosur të marrë pjesë në çdo takim të kabinetit për çështjen e refugjatëve, që të diskutojë për secilin aspekt të kësaj krize.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
