Kancelari gjerman Friedrich Merz vizitoi Pekinin, ku theksoi partneritetin strategjik dhe nevojën e kanaleve të hapura të komunikimit midis dy vendeve.
Për të mësuar më shumë, jam lidhur tani në Gjermani me analistin Auron Dodin, në Deutsche Welle.
Cilat janë rezultatet konkrete nga vizita e kancelarit Merz në Pekin?
A.Dodi: Mesazhi kryesor nga vizita e kancelarit Friedrich Merz në Kinë është dakordimi që të forcohen më tej marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Kinës. Merz-i tha shprehimisht se “ne duam të forcojmë partneritetin tonë strategjik”.
Do të rinisin edhe konsultimet ndërqeveritare gjermano-kineze, pas një ndërprerjeje të gjatë prej koronavirusit dhe ndryshimit të qeverive në Berlin. Në vizitën e kancelarit, Kina bëri të ditur se do të porosisë 120 avionë të rinj te kompania Airbus (ku aksionerët kryesorë janë Gjermania dhe Franca).
U nënshkruan edhe pesë marrëveshje dypalëshe, që nga mbrojtja e klimës deri te kontrolli i epidemive të kafshëve. Berlini dëshiron të tërheqë më tej investime kineze në Gjermani, por jo në fushën e infrastrukturës kritike (rrjetet e energjisë, telekomunikimit, portet etj).
Fokusi i vizitës ishte pra partneriteti, jo rivaliteti, që theksohej në fillim të punës së qeverisë së re gjermane. Një lajm i mirë, po të kesh parasysh se bëjnë tregti me njëra-tjetrën „dy nga tre ekonomitë më të mëdha në botë“. Kjo „krijon një vrull të jashtëzakonshëm…si për ne, ashtu edhe më gjerë“, u shpreh kancelari Merz.
News24: Cilat janë sinjalet që transmetoi pala kineze?
A.Dodi: Krerët e shtetit kinez, për vizitën e kancelarit, kishin ndërprerë pushimet e festës së pranverës në Kinë (nisja e vitit të ri hënor kinez, festa më e rëndësishme në Kinë). Këtë Merz-i e vlerësoi si shenjë miqësore të veçantë.
Presidenti kinez Xi Jinping vlerësoi që nën udhëheqjen e Merz-it, Gjermania ndjek ndaj Kinës një politikë „të orientuar në fakte“.
Xi i tha kancelarit Merz se „pres me padurim të punoj me ju, kancelar, në mënyrë që partneriteti strategjik midis dy vendeve tona, të vazhdojë të bëjë përparime të reja,”.
Pekini mbështet një bashkëpunim ekonomik më të ngushtë me Berlinin në teknologjitë kyçe. Xi veçoi se qeveria gjermane ka prezantuar strategji në fushat e teknologjisë, inovacionit dhe digjitalizimit, „që përputhen ngushtë me fokusin e Kinës në zhvillimin inteligjent, të gjelbër dhe të integruar, gjatë Planit të saj të 15-të Pesëvjeçar.“ Më tej Presidenti kinez kërkoi shkëmbim dypalësh të talenteve, dijes dhe teknologjisë.
News24: Ka pasur vërejtje se kompanitë kineze sjellin në tregun evropian me shumicë produkte të lira, që subvencionohen nga shteti. Sa u diskutua për korrektësinë në konkurrencë?
A.Dodi: Kancelari Merz tha pas takimeve se konkurrenca e drejtë luajti rol të rëndësishëm në bisedime. Tha se “na duhen transparenca, besueshmëria dhe respektimi i rregullave”. Dhe u shpreh për nevojën e „kanaleve të hapura“ të komunikimit, ku të flitet me durim. Në bisedime, Merz-i i trajtoi qartë barrierat e shumta tregtare kineze për të cilat ankohet ekonomia gjermane.
Sipas medieve, tërthorazi, duke cituar zëra që kërkojnë mbrojtjen e ekonomisë gjermane dhe evropiane, Merz-i la të kuptohet se kjo gjendje mund të ketë pasoja. Ekonomia gjermane ankohet ndër të tjera për kufizime burokratike, licenca vetëm të përkohshme për mjaft eksporte, si metalet e rralla (lëndë të para kritike për teknologjinë e lartë, ku Kina ka thuajse monopol), etj.
Presidenti Xi Jinping u shpreh në mbështetje të ekuilibrit të duhur, midis konkurrencës dhe bashkëpunimit. Ai ofroi që të sigurohen së bashku zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit, gjë që mbështetet në Gjermani e Evropë.
News24: Po ekonomia, si e sheh rrezikun e varësisë nga Kina?
A.Dodi: Delegacioni me 30 drejtorët ekzekutivë të kompanive më të mëdha gjermane, që shoqëroi Merzin, demonstron interes dypalësh për bashkëpunim. Ekonomia dihet se këmbëngul te çdo kancelar që të shmangë një shkallëzim të tensioneve tregtare. Kompanitë gjermane e shohin Kinën si burim lëndësh të para dhe treg të domosdoshëm për fitimet e inovacionin.
Gjithsesi vizita nuk ishte një hap drejt një shkëputjeje ekonomike të të dyja vendeve. Drejtori ekzekutiv i koncernit kimik gjerman Bayer, Bill Anderson, për shembull, që udhëtoi në Kinë, u shpreh për revistën Table Today se ideja e shkëputjes ekonomike si strategji gjeopolitike (decoupling) mund të duket si një koncept i mirë në teori.
Por sipas tij ne duhet të kthehemi në realitet në mënyrë pragmatike. Në mënyrë që produktet të ofrohen me çmim të favorshëm janë të nevojshëm zinxhirë globalë të furnizimit.
News24: Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë. Si paraqitet deficiti tregtar midis dy vendeve?
A.Dodi: Importet gjermane nga Kina janë rritur, kurse eksportet gjermane drejt Kinës po bien. Fenomen i viteve të fundit është teprica kineze në bilancin me Gjermaninë.
Kancelari Merz tha se “deficiti midis Gjermanisë dhe Kinës aktualisht i kalon 80 miliardë euro. Ai është katërfishuar që nga viti 2020. Kjo nuk është një dinamikë ekonomike e shëndetshme.” Prandaj kancelari kërkoi një dialog të hapur.
Pabarazitë ekstreme tregtare me Kinën, për një kohë të gjatë Gjermania i ka shmangur në sajë të ekspertizës industriale që ka. Por tani, edhe falë subvencioneve masive të shtetit, Kina po e konkuron Gjermaninë në produktet premium të eksportit gjerman.
Në industrinë automobilistike: BMW, Mercedes Benz dhe Audi vazhdojnë të jenë lidere, në tregun global të automjeteve luksoze. Por shitjet e tyre në Kinë kanë rënë ndjeshëm kohët e fundit.
News24: Cilat çështje gjeopolitike u trajtuan në takim?
A.Dodi: Merz-i e vizitoi Pekin një javë para se të shkojë në Uashington. Vizita si e kancelarit gjerman, me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, kanë bërë në Pekin edhe liderët britanikë, francezë, spanjollë, australianë dhe koreanojugorë. Sfondi janë edhe tensionet në rritje, për tarifat doganore të administratës së SHBA.
Përsa i përket Gjermanisë dhe Kinës, sfidat që kanë përpara aktualisht janë të ngjashme: tensionet gjeopolitike, ngadalësimi ekonomik në vendet respektive dhe presioni tregtar nga SHBA.
Në takimin me kancelarin, Presidenti kinez Xi kërkoi që Kina dhe Gjermania të veprojnë së bashku për multilateralizmin dhe në mbrojtje të tregtisë së lirë.
Ndërsa kancelari Merz theksoi “përgjegjësinë e veçantë” të Kinës. Në këtë kuadër ai tha se, ” i nxita partnerët e mi të bisedimeve që të përdorin ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”. Kancelari Merz tha se “sinjalet nga Kina merren seriozisht në Moskë, si fjalët diplomatike ashtu edhe veprimet konkrete”.”
