News24: Në Gjermani, u përgjysmua këtë vit numri i kërkesave për azil. Politika e luftimit të migrimit të paligjshëm e qeverisë Merz po jep rezultat. Njëkohësisht, partitë në qeveri pritet të ashpërsojnë ligjin e shtetësisë gjermane, duke ndëshkuar me sanksione mashtruesit.

Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje.

A mund të konsiderohet e kryer kthesa në politikën e azilit?

Auron Dodi:  Shifrat flasin qartë. Numri i aplikimeve fillestare për azil në Gjermani është ulur me më shumë se gjysmën që nga fillimi i vitit 2025. Këtë vit janë paraqitur 106.298 kërkesa fillestare për azil, krahasuar me 216.861 në vitin 2024.

Rënien prej 51 përqind të aplikimeve për azil e konfirmoi Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF). Edhe komentatorë të gazetave konservatore gjermane shkruajnë se “kthesa në politikën e azilit u krye”.

Përsa i përket sistemit gjerman të migrimit kemi padyshim një lehtësim, që konfirmon suksesin e masave të marra.

News24: A ka një masë të caktuar të qeverisë së kancelarit Merz që lidhet me suksesin e rënies së shifrave?

Auron Dodi: Suksesi mendoj që lidhet me ndërveprimin e disa masave. Që kur erdhi në pushtet, në maj, qeveria Merz dërgoi sinjale në disa fusha njëkohësisht: me kontrolle kufitare, me përgjigje negative të aplikimeve dhe me dëbime.

Më konkretisht, koalicioni aktual qeveritar ka zbatuar masa më të rrepta për mbrojtjen e kufirit. Dërgoi në kufi forca të shumta shtesë të policisë federale. Dhe shumica e azilkërkuesve ilegalë vijnë pikërisht nga kufiri tokësor, me shtete të sigurta fqinjë me Gjermaninë. Sapo janë kapur duke kaluar kufirin, migrantët ilegalë që vinin nga shtete të sigurta në Gjermani, janë kthyer pas nga policia.

News24: A janë 100.000 kërkesa për azil në Gjermani një shifër e ulët, në terma absolutë?

Auron Dodi: Për Gjermaninë sot, për shumë vetë kjo është një shifër e ulët aplikimesh për azil. Natyrisht, 13 vjet më parë, midis viteve 1998 dhe 2012, aplikimet për azil kanë qenë shumë më të ulëta se sot.

Po e kuptoj pyetjen tënde, përsa i përket një sfondi më të gjerë.  E qartë është  se të njëjtat shifra që Gjermania i konsideron të ulëta, janë alarmuese për shtete të tjera evropiane, si. p.sh. për Britaninë e Madhe.

Sa erdhën këtë vit në Gjermani, po mbi 100.000 azilkërkues, shkuan vjet në Britaninë e Madhe, për herë të parë kaq shumë, në historinë e vendit. Sivjet (2025) atje kanë mbërritur madje 110.000 vetë. Kjo e ka detyruar edhe qeverinë aktuale britanike, qeveri laburiste, të nxisë një ashpërsim të thellë të sistemit të azilit.

News24: Çfarë do të ndodhë tani? A mund të konsiderohet në rrugë zgjidhjeje çështja e azilkërkuesve dhe migrimit ilegal në Gjermani?

Auron Dodi: Janë bërë hapa të duhur, po çështja shihet ende larg zgjidhjes. Gjermania do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje për azilkërkues që rrezikohen, por vitet e fundit ka pasur një shifër të lartë shpërdorimi.

Vërtet që Gjermania ka nevojë për të huaj, si fuqi punëtore, por kryesisht për fuqi punëtore të kualifikuar, jo për migrim ilegal. Konservatorët tani kërkojnë që koalicioni të vazhdojë të reflektojë për ata që janë ligjërisht në Gjermani dhe duan shtetësinë gjermane.

Politikanë konservatorë thonë se që dikush e merr shtetësinë gjermane, vetëm se ka plotësuar vitet në Gjermani, pa një lidhje të vërtetë me Gjermaninë, nuk ndihmon në forcimin e vendit. Këtu mendohet se ka ende shumë për të bërë.

News24: A pritet të vështirësohet dhënia e shtetësisë gjermane?

Auron Dodi: Po. Partitë konservatore, CDU/CSU dhe SPD sipas gazetës Bild, që i referohen edhe burime të tjera, duan të ashpërsojnë më tej ligjin e shtetësisë.

Në të ardhmen, të gjithë ata që falsifikojnë çertifikatën e provimit të gjermanishtes dhe kapen, do të mund të aplikojnë sërish për shtetësinë gjermane vetëm pas dhjetë vjetësh.

Edhe po ta riparaqesin me ankimim aplikimin gjatë periudhës së bllokadës 10 vjeçare, ata do të jenë shënuar në një regjistër të posaçëm, që lehtëson që kërkesa t’u refuzohet me ligj.

Personi do të futet në një bllokadë dhjetëvjeçare deri në riaplikim, edhe kur mashtrimi I I tij zbulohet pasi ai person e ka marrë tashmë shtetësinë gjermane.

Për këtë ndryshim të ligjit, të kërkuar në Komisionin  e Brendshëm të Bundestagut nga partitë në pushtet, Bundestagu planifikohet të votojë këtë vit.

Dihet se naturalizimi i përshpejtuar pas tre vjetësh për persona të mirëintegruar, u anulua që në tetor.

Këtë të premte u hodh në votë edhe heqja e detyrimit për shtetin, që të të paguajë një avokat, në rast se të paraburgos para dëbimit.  Kjo e ideja e detyrimit për të paguar avokatin ishte një hap i qeverisë së kaluar.

News24: Cili është sfondi më i gjerë i ashpërsimit të ligjit të shtetësisë?

Auron Dodi: Ligji forcohet si përgjigje ndaj mashtrimeve të vazhdueshme me çertifikatat e gjuhës gjermane.  Dihet se të gjithë ata që duan të marrin shtetësinë gjermane, duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në jetën e përditshme gjermanisht.

Kjo konfirmohet kur ke çertifikatën e gjuhës të nivelit B1.  Por së fundi, javën e kaluar, u identifikuan në jug të Gjermanisë, pesëmbëdhjetë të pandehur kryesorë, që organizonin falsifikimin e  çertifikatave të gjermanishtes në këmbim të parave.

Në landet federale të Baden-Württembergut dhe Hessenit, pati për për këtë kontrolle me forca masive nga policia (200 vetë).  Thuajse në të njëjtën kohë vitin e kaluar, për të njëjtën vepër penale u nxorr para Gjykatës Rajonale në Bonn një grup falsifikuesish. Ata kishin fituar miliona nga falsifikimi i -çertifikatave gjuhësore, që i shisnin me çmime deri 3000 euro. Pra ashpërsimi i ligjit të shtetësisë në këtë drejtim është masë parandaluese.

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb