Gjermania synon të dërgojë një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, por sipas burimeve qeveritare që citojnë mediat gjermane, për dorëzimin dhe pranimin e tij do të nevojiten gjashte deri në tetë muaj.

Fillimisht, plani ishte që SHBA të ridrejtonte një pjesë të rezervave të saj drejt Ukrainës, ndërsa Gjermania do të financonte blerjen e sistemeve zëvendësuese. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump refuzoi këtë lëvizje, duke e bërë të qartë se nuk do të ketë transferime nga rezervat ushtarake amerikane.

Për pasojë, tani shtetet evropiane duhet të ofrojnë pajisje nga rezervat e tyre ekzistuese dhe të bëjnë porosi të reja tek prodhuesit amerikanë, si Raytheon, që aktualisht është në procesin e prodhimit të një njësie të re Patriot. Kjo njësi, e financuar nga Gjermania, do të dërgohet drejtpërdrejt në Ukrainë.

Megjithatë, mungesa e sistemeve të mbrojtjes ajrore në Evropë po përbën një sfidë të rëndësishme. Negociata intensive po zhvillohen prej ditësh mes vendeve evropiane për të përcaktuar se kush mund të ofrojë ndihmë ushtarake për Kievin dhe në çfarë forme.

Zvicra, e cila gjithashtu është në listën e vendeve që kanë porositur sisteme Patriot, është shtyrë më poshtë në listën e pritjes për shkak të dërgesës së re për Ukrainën.

Ndërkohë, më 14 korrik, Trump njoftoi një marrëveshje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas së cilës vendet anëtare evropiane do të blejnë armë amerikane – përfshirë sistemet Patriot – për t’ia dorëzuar Ukrainës.

Në këtë kuadër, SHBA po shqyrton gjithashtu mundësinë për të shitur drejtpërdrejt sisteme Patriot nga rezervat e saj si pjesë e planit të ri për furnizimin e Ukrainës me armatim amerikan të avancuar, me mbështetjen financiare dhe logjistike të aleatëve europianë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb