Gjermania tha sot se është e bindur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s, pavarësisht qëndrimit të saj të ashpër ndaj Bashkimit Evropian.
“Ekzistojnë deklarata shumë të qarta në strategjinë kombëtare të sigurisë lidhur me sigurinë e Shteteve të Bashkuara, të cilat lidhen me NATO-n dhe përmbajnë një përkushtim ndaj NATO-s”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
“Ka disa fjali në të që ngrenë pyetje këtu; kjo është krejt e qartë. Por, bërthama e Aleancës, qëndrimi së bashku, Neni 5, është plotësisht i paprekshëm në Washington dhe Berlin”, tha Wadephul duke reaguar ndaj dokumentit amerikan, i cili po rrit shqetësimet në Evropë për unitetin transatlantik.
I pyetur nëse Evropa tani do të ngelet thuajse e vetme në mbështetjen e Ukrainës dhe mbrojtjen e saj, Wadephul u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara janë shumë qartë të përkushtuara ndaj NATO-s”.
Ai shtoi se çatia bërthamore mbron Evropën dhe siguron që ajo të jetë politikisht e aftë të veprojë çdo ditë. “Këshilloj që të mos vëmë në dyshim gjëra që SHBA-ja vetë nuk i vendos në dyshim”, tha ai.
Dokumenti i ri i strategjisë kombëtare të sigurisë së SHBA-së, i publikuar javën e kaluar, përshkroi prioritetet e administratës së Trumpit në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ai përqendrohet në rajonin e Indo-Paqësorit ndërsa refuzon karakterizimin e Rusisë nga qeveritë evropiane si “kërcënim ekzistencial”.
