TIRANE- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni është ndalur në qytetin e Rrogozhinës, ku MZHU ka financuar ndërtimin e një godine 2-katëshe tërësisht të re, për strehimin e 8 familjeve të komunitetin rom dhe egjiptian. Ministrja ka inspektuar punimet për zbatimin e projektit, i cili ka një vlerë prej 9.6 mln lekësh, nga buxheti i MZHU.

“Për vitin 2016 fondi i alokuar në buxhetin e Ministrisë për projekte dedikuar përmirësimit të kushteve të jetesës të komunitetit rom dhe egjiptian është në vlerën 105 milionë lekë. Krahasuar me një vit më parë ky fond është rritur me 20% duke parë dhe kërkesën e ardhur nga bashkitë për investime në sektorin e strehimit për përmirësimin e kushteve të jetesës për këtë komunitet. Një nga 9 projekteve është dhe ky që inspektojmë sot në Rrogozhinë. Mund të them që ky është projekti i parë kur ndërtohet një godinë tërësisht e re. Mora garancinë nga drejtuesit e firmës se godina do t’i dorëzohet familjeve brenda 3 muajve”, tha ministrja Gjermeni.

Bashkia Rrogozhinë është një ndër njësitë vendore të mbështetura edhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, për vitin 2016. Shumë shpejt do të fillojë puna edhe për zbatimin e projektit Rivitalizimi i qendrës së qytetit. Një projekt ky i financuar në vlerën mbi 149 milionë lekë nga FZHR, që do t’i ofrojë një pamje të re dhe vitale qytetit me hapësira rekreative dhe çlodhëse për të gjithë qytetarët.

“Ky është një investim i rëndësishëm, pasi është i pari që bëhet pas 25 vitesh në këtë qytet. Bashkia Rrogozhinë është dhe një nga 26 bashkitë që po mbështet nga Qeveria për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili do të jetë një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e integruar të të gjithë territorit nën administrimin e kësaj bashkie. Unë i bëj thirrje këshillave bashkiake në 26 bashkitë ku po punohet për këto plane vendore, që këto dokumente të rëndësishëm planifikues të miratohen unanimisht, pasi nuk i përkasin një force politike, por i shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe të ardhmes së këtyre rajoneve”, deklaroi Ministrja Gjermeni.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: