Gazetari Elkier Bushkolaj i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me zbulimin e vendndodhjes së Stela Gugalljas, një nga personat e shumëpërfolur për aferën e inceneratorëve, e gjetur së fundmi në Austri.

Bushkolaj tregoi se Gugallja nuk është kapur nga autoritetet në Austri, por ka shkuar vetë aty për të kërkuar azil politik, ku asaj i është njoftuar që është në kërkim ndërkombëtar nga Interpol.

Ai vijoi më tej duke thënë se ajo nuk është ndaluar sot, por njoftimi është dhënë për arsye të tjera nga SPAK, dhe se ky veprim është ndërmarrë nga Gugallja pasi është menduar mirë nga ajo dhe avokatët e saj.

Nga ana tjetër gazetari Mentor Kikia deklaroi se në momentin e aplikimit për azil politik, edhe nëse në fund refuzohet, procesi duhet të zhvillohet deri në fund për të vijuar me procedurën e ekstradimit drejt Shqipërisë.

Sipas tij ajo është vetëm një personazh “periferik” në rastin e inceneratorëve, pasi përgjegjësit kryesorë janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Bushkolaj:

Ajo është paraqitur te institucionet në Austri dhe ka kërkuar azil politik dhe asaj i është njoftuar që është në kërkim ndërkombëtar. Nuk parashikohet arrestimi nga Interpol në atë vend për këtë vepër penale. Gugallja ka pasur indicie që ka qenë në Austri dhe nuk është ndaluar nga policia, por ka shkuar vetë aty. Pse del sot ky njoftim, del sot sepse Arben Ahmetaj u procedua penalisht për akuzat ndaj inceneratorëve. Është një publikim propagandistik.

Kur individi vendoset para prokurorëve do zbardhë fakte të reja, nëse ajo ekstradohet është diçka e mirë për hetimin padyshim. Kam përshtypjen se do kërkojë shumë kohë gjithë akti i procedurës së azilit, ka qenë një veprim i menduar mirë nga ajo dhe avokatët e saj.

Kikia:

Stela Gugallja është në Vjenë kjo është njoftuar edhe më herët në media. Padyshim që nuk kishte shkuar për pushime por kishte nisur procedurat e azilit politik aty. Ajo ka qenë në një proces ku ka kërkuar azilin duke qenë se ishte në kërkim ndërkombëtar i është njoftuar, por automatikisht personat që bëjnë kërkesë e marrin procedurën. Duam apo nuk duam ajo do t’i nënshtrohet procedurës për azil, nëse refuzohet do ekstradohet. Pyetja është se pse SPAK njoftoi sot një lajm që nuk ka ndodhur sot, është një njoftim pa datë. Gugallja është përdorur nga Zoto dhe Mërtiri për inceneratorin e Elbasanit për të marrë përsipër atë vepër. Nuk dihet kur ajo mund të vijë në Shqipëri, nuk dihet kur mund të ketë një vendim nëse do ketë për ekstradimin e saj. Gugallja ishte një personazh periferik, nuk ka qenë as sipërmarrëse as gjë tjetër, asaj thjesht iu vu emri aty.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: