Mbi 900 ‘viktima’ në 18 muaj, hakerët përdorën identitete të vjedhura dhe video të manipuluara për të mashtruar punonjësit e sektorit të kriptomonedhave

Hakerët e lidhur me regjimin e Koresë së Veriut kanë përvetësuar më shumë se 400 milionë dollarë në kriptomonedha përmes një skeme mashtrimi me video-thirrje të rreme, bëjnë të ditur autoritetet amerikane.

Sipas FBI-së, mbi 900 persona kanë rënë pre e kësaj skeme gjatë 18 muajve të fundit. Operacioni, i pagëzuar “FaceStealer”, synon veçanërisht punonjësit dhe zhvilluesit në sektorin e kriptomonedhave dhe teknologjisë Ueb3.

Hakerët përdorin llogari të rreme ose të vjedhura në rrjetet sociale për të ftuar viktimat në video-konferenca që duken sikur zhvillohen përmes platformave Zoom, Microsoft Teams apo Google Meet.

Gjatë telefonatave shfaqen video të regjistruara më parë, ku imitohen persona të njohur për viktimën, me qëllim krijimin e besimit. Më pas, kur audioja paraqitet sikur ka probleme, përdoruesit u kërkohet të klikojnë në një lidhje për ta rregulluar atë.

Në të vërtetë, lidhja shkarkon programe keqdashëse në pajisjen e viktimës, duke u mundësuar hakerëve të kenë qasje në kontaktet dhe aplikacionet e saj. Kështu, ata sigurojnë edhe objektiva të rinj për mashtrime të tjera.

Sipas autoriteteve amerikane, telefonatat regjistrohen në mënyrë të fshehtë dhe pamjet përdoren më pas për të mashtruar viktima të tjera.

“Regjimi i Koresë së Veriut mbështetet te të ardhurat nga vjedhjet masive të kriptomonedhave për të financuar programin e tij të paligjshëm të armëve”, deklaroi Brett Leatherman, drejtues i sektorit të sigurisë kibernetike në FBI.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë se skema është aq e sofistikuar sa mund të mashtrojë edhe përdorues me përvojë të konsiderueshme teknologjike dhe njohuri të avancuara të sigurisë kibernetike.

Lajmi vjen vetëm një javë pasi platforma Binance bëri të ditur se ishte goditur nga një sulm kibernetik rekord, me dëme të raportuara prej 6.3 miliardë dollarësh. Sipas agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, sulmi lidhet me aktorë të afërt me Korenë e Veriut, pretendim që Pheniani e ka mohuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: