Sekretari i Organizimit dhe Zgjedhjeve në PS Damian Gjiknuri, deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ndodhen në Uashington, në kuadër të një vizite të një grupi deputetësh nga parlamenti i Shqipërisë.
Ata janë pritur në Departamentin e Shtetit nga zëvendësndihmëssekretari Amerikan Alexander Kasanof, përgjegjës për zyrën e Evropës dhe çështjet e Euroazisë, ndërsa ishin nën shoqërinë edhe të ambasadorit të vendit tonë në SHBA, Ervin Bushati.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri shprehet se gjatë takimit është nënvizuar angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-së në rajonin e Europës Jug-lindore, me fokus Ballkanin Perëndimor. Ai deklaron se SHBA vazhdon që të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e integrimit të vendit tonë në BE.
Postimi i Gjiknurit:
Washington Në kuadër të një delegacioni me deputetë të Kuvendit, shoqëruar nga ambasadori Ervin Bushati, u pritëm në Departamentin e Shtetit nga Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan Alexander Kasanof, përgjegjës për zyrën e Evropës dhe çështjet e Euroazisë.
Gjatë takimit u theksua angazhimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Evropës Juglindore, me fokus Ballkanin Perëndimor.
SHBA vijon të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Zyrtari amerikan shprehu përgëzime për bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës me qëllim zbatimin e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Nënvizuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, kordinimit dhe ndërveprimit me SHBA-të si aleati më strategjik i Shqipërisë.
(BalkanWeb)