Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme në derbin e xhiros së pestë të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 1:0.

Ndeshja e zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin me bar sintetik në Gjilan u vendos nga Robert Rrahmani, i cili realizoi në minutën e 66-të për t’ia siguruar skuadrës së Debatik Currit tri pikë të vlefshme.

Për Gjilanin kjo ishte fitorja e tretë në këtë edicion, pas një barazimi dhe një disfate në tri ndeshjet paraprake. Me këtë sukses, gjilanasit kanë arritur në kuotën e 10 pikëve dhe renditen në vendin e tretë.

Në anën tjetër, Ballkani pësoi humbjen e dytë të sezonit, pas një serie prej tri fitoreve radhazi. Skuadra e drejtuar tashmë prej Sami Sermaxhajt mbetet me nëntë pikë dhe zbret në pozitën e katërt.

Fitore të madhe ka regjistruar edhe Feronikeli 74, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas e ka mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, me rezultat 1:0.

Golin e fitores për skuadrën e Elon Berishës e shënoi Avni Selmani në minutën e 47-të. Për Selmanin ky ishte goli i dytë në këtë edicion.

Kjo ishte fitorja e parë sezonale për Feronikelin 74. Pas pesë xhirove, skuadra nga Drenasi ka tri pikë dhe renditet në vendin e nëntë.

Drita, ndërkohë, pësoi humbjen e parë në kampionat nën drejtimin e trajnerit Ardian Nuhiu. Kampionia në fuqi mbetet me shtatë pikë dhe renditet në vendin e gjashtë, me një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj Prishtinës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb