Nuk është një finale Champions, por për Atalanta dhe Bayer Leverkusen është sfida e jetës, është një takim me historinë, një shans i shkëlqyer për të dy klubet për t’i bërë një mbyllje fantastike këtij edicioni të çmendur. Për tifozët shqiptar, kjo është një finale me shije të veçantë, nga njëra anë kapiteni Berat Gjimshiti, nga ana tjetër prishtinaliu Granit Xhaka, një personazh shumë i dashur për tifozët kuqezi. E sigurt është se në fund njëri prej tyre do të ngrejë lart trofeun e Europa League. Lerverkusen vjen në këtë finale pasi një sezoni të pabesueshëm, vijnë si të pamposhtur dhe me titullin e parë në histori në “xhep”, por Alonso nuk dëshiron të ndalet këtu, kërkon një tjetër trofe, akoma më prestigjioz:

“Do të ishte historike jo vetëm për klubin tonë, por ndoshta për të gjithë futbollin evropian. Shpresojmë për një epilog pozitiv për ne”, u shpreh Alonso në konferencë për shtyp.

Pas titullit në Gjermani, Granit Xhaka kërkon edhe suksesin në Evropë: “Finalet janë atje për t’u fituar. Skuadrat italiane janë gjithmonë të veçanta dhe të forta në mbrojtje. Atalanta është edhe më e specializuar për këtë. Do të ketë shumë duele një kundër një në fushë. Ata janë fizikisht shumë të fortë dhe të shpejtë, por edhe ne kemi disa cilësi”, theksoi Xhaka.

Në krah të trajnerit Gasperini ishte edhe kapiteni kuqezi, Berat Gjimshiti. Qendërmbrojtësi nuk i fshehu emocionet që është pjesë e kësaj finaleje të mëdhe, por përpara kanë një pengesë të fortë, një ekip të pamposhtur si Leverkusen: “Mund të jetë, por dëshira për të qenë të parët që t’i mundim ata mund të jetë gjithashtu një nxitje për ne. Ne do të përpiqemi”, u shpreh Gjimshiti duke shtuar se në këtë finale nuk ka favoritë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb