Në kinemanë e qytetit të Gjirokastrës është shfaqur premiera e filmit “Violinisti” i regjisorit Sajmir Bajo. Autori i filmit rikthehet në vendlindje me një prodhim kinematografik të arrirë, sa universal aq edhe autobiografik. Në qendër të filmit janë vitet e fëmijërisë që vetë regjisori i ka kaluar në qytetin e gurtë të ndërthurura me elementë artistikë

“Filmi “Violinisti” është një film memorie, janë copëza nga jeta ime kur kam qenë fëmijë i vogël 5-6 vjeç dhe shkoja në Shkollën e Muzikës, është e bazuar në historinë time personale dhe të familjes Bajo,por nuk është film autobiografik, është film artistik i dramatizuar që do të thotë gjithë personazhet por edhe ngjarja ndonëse janë pothuaj 90% të vërteta unë i kam dramatizuar që të jetë një film artistik”

Humbja e pafajësisë, dashuria platonike, nuk e çojnë në dramë personazhin kryesor, këtë fëmijë 6-7 vjeçar por violinisti i vogël gjen një dashuri akoma më të madhe që është kinemaja. Për regjisorin filmi me të gjitha elementët e realizimit të tij i përket prurjeve të reja në kinematografinë shqiptare.

“Ky është një film autentik shqiptar, kjo është e veçanta sepse të gjitha elementët e filmit që nga skenari,ngjarja, personazhet, atmosfera e magjishme e Gjirokastrës është një film i cili ka një atmosferë fantastike, do të thoja që është një film në të gjitha elementët qoftë te muzika,qoftë tek kamera, qoftë tek aktrimi, qoftë tek mënyra e të treguarit”

Përgjatë këtij aktiviteti iu akordua titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” artistit Arben Bajo, i cili u nda nga jeta në moshën 52-vjeçare duke lënë pas një krijimtari të pasur në artet figurative.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb