Një 44-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje, është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Historiku”, në Gjirokastër.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij në fshatin Majkosh, në Tepelenë, policia zbuloi dy armë dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë. Sipas njoftimit zyrtar, njëra prej armëve ishte pistoletë me municion, ndërsa tjetra armë sportive.

I arrestuari, me inicialet S. L., është banues në Tiranë dhe dyshohet se i mbante armët pa lejen përkatëse. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Historiku”.

Kishte fshehur në banesë 2 armë dhe një sasi Kokaine, vihet në pranga një shtetas i dënuar më parë, për vrasje.

Sekuestrohen arma e zjarrit (pistoletë) me municion, arma sportive dhe lënda narkotike.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative, me objektiva mbikëqyrjen e shtetasve me precedentë penalë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, finalizuan operacionin e koduar “Historiku”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. L., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrollet u konstatua se 44-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje, mbante pa leje, në banesën tjetër të tij, në fshatin Majkosh, Tepelenë, 1 armë zjarri (pistoletë) me municion dhe 1 armë sportive. Gjithashtu, në banesë iu gjet një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: