Problemet e pronësisë në banesat e shpallura “Monument Kulture” në Gjirokastër po rrezikojnë seriozisht ruajtjen e trashëgimisë së qytetit muze. Megjithatë, përkrah sfidave, vitet e fundit disa projekte restaurimi kanë sjellë shembuj të suksesshëm rijetëzimi të shtëpive karakteristike, të cilat sot i shërbejnë turizmit .

Qyteti i gurtë numëron 55 monumente kulture të kategorisë së parë dhe 320 të kategorisë së dytë. Por, pavarësisht mbrojtjes ligjore, shumë prej tyre përballen ende me sfida të mëdha për shkak të mungesës së titujve të pronësisë dhe ndarjes së pronës mes trashëgimtarëve të shumtë. Çdo ndërhyrje restauruese kërkon certifikatë pronësie, çka shpesh bllokon procesin.
Drejtori i Drejtorisë së Monumenteve dhe Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Ardis Duka, pohon se edhe brenda zonës historike ka banesa që nuk mbajnë status monumenti, por janë pjesë e ansamblit arkitektonik dhe kërkojnë mbrojtje. Sipas tij, problemi i pronësisë është pengesa kryesore për çdo projekt ndërhyrjeje. Çdo proces restaurimi kërkon certifikatë pronësie dhe përgjegjës të qartë për administrimin e objekteve.
“ Kemi përgatitur projekte restaurimi për të evituar shembjet, por problemi kryesor mbetet pronësia. Për objektet e braktisura duhet parë mundësia e shpronësimit, në mënyrë që të ketë dikush përgjegjësi për administrimin e tyre.” – shprehet Duka.
Megjithatë, Gjirokastra ka edhe shembuj suksesi. Restaurimi i shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare, funksionalizimi i shumë banesave karakteristike në bujtina e hotele në Pazarin e Vjetër, tregojnë se trashëgimia kulturore mund të rijetëzohet, duke gjallëruar ekonominë e qytetit dhe duke e bërë trashëgiminë pjesë të jetës së përditshme.
Ekspertët e trashëgimisë kulturore theksojnë se është e domosdoshme të gjenden zgjidhje ligjore për këto problematika, në mënyrë që të garantohet restaurimi dhe ruajtja afatgjatë e pasurisë historike të qytetit muze.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: