Nga: PËRPARIM KABO*
Kudo që shkon për vizitë jashtë Shqipërisë, miqtë apo udhërrëfyesit e paguar, kur dëshirojnë t’ju tërheqin vëmendjen që të shpenzoni kohën në mënyrë të kulturuar, ju thonë: Duhet të vizitoni këtë objekt muzeal apo këtë katedrale, e cila është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore e njohur si e tillë nga UNESCO. Edhe ne në vendin tonë kemi pasuri të tilla; është isopolifonia dhe monodia e veriut të Shqipërisë, një punë ekselente e studiuesit dhe akademikut Vaso Tole. Është ansambli i Butrintit, është Lagjja Kala e Gjirokastrës, është një zonë e Beratit të vjetër… e kështu do duhet të vazhdojmë edhe në veri me Kalanë e Rozafës etj. Në datën 15 korrik 2015 mbushen 10 vite që Gjirokastra muzeale, ajo klasikja tipike e qytetit të gurtë, me misteret dhe unikalitetin, u klasifikuan nga ICOMOS-i si pasuri me vlera botërore dhe unikale, e më pas UNESCO në mbledhjen e Pekinit në vitin 2005 e listoi si kërkesë dhe e aprovoi duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore Botërore. Një gëzim i madh në ato ditë! Bashkë me të u rikthye në UNESCO si pjesë e trashëgimisë botërore edhe ansambli i Butrintit, që kishte dalë nga ky juridiksion në periudhën e ngjarjeve shkatërruese të vitit 1997.
Po si ndodhi, si u realizua pranimi i Gjirokastrës? Kush u mor me këtë punë? Cilat ishin detyrimet? A ishte një gjë e lehtë, thjesht procedurale, apo diçka krejt ndryshe, një punë me një barrë vështirësish dhe pengesash? Ishte pranvera e vitit 2004 kur në detyrën e këshilltarit të kryeministrit edhe për kulturën, zoti Vaso Tole më vuri në dijeni për këtë çështje. “Puna ka filluar, – më tha zoti Tole në zyrën time, – porse pa një lobim të fuqishëm, është pothuaj e pamundur, sepse lista e aplikantëve është shumë e gjatë. Ka vende apo subjekte që presin me vite që të realizojnë pranimin e objektit monumental apo shpirtëror si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore”. “Nga duhet filluar Vaso, kjo ishte pyetja ime?!” “Duhet siguruar në selinë e UNESCO-s që të futet në listë. Kjo është e para, – nënvizoi zoti Tole, – dhe e dyta, na duhet që ekipi i ICOMOS-it që do të vijë në terren të bindet nga pala jonë, sepse raporti i këtij komisioni të specializuar për forumet vendimmarrëse të UNESCO-s është përcaktues”. Kështu nisi puna. Porosia e kryeministrit Fatos Nano na erdhi e prerë nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zoti Ksenofon Kristafi, një jurist model i klasit ndërkombëtar, një komunikues i rrallë, një bashkëpunues për t’u marrë shembull. Kujdesi dhe skrupuloziteti i tij, gjithnjë më kishin lënë përshtypje të thellë. Porosia e kryeministrit ishte: futja e Gjirokastrës në UNESCO, kjo është detyrë e parë. Gjithçka ishte e prerë, e qartë dhe pa të drejtë negocimi. E njihja këtë stil pune të zotit Nano. Kishte ca gjëra që me të nuk bëhej shaka. Personalisht nuk e harroja diçka që më kishte thënë zoti Nano në një vizitë që kishim bërë në Muzeumin Onufri në Berat. “Vetëm për këtë pasuri unikale me kaq vlera ne si PS duhet ta fitojmë gjithnjë Beratin në zgjedhje” Atë ditë ishte një mrekulli, sepse një restaurator, në kohë reale zbuloi me një teknikë moderne në pjesën e pasme të një ikonostasi një pikturë që nuk dihej, por që dyshohej që ishte e fshehur atje. Oh, çfarë gjendjeje u krijua! Zoti Fatos Nano, me humor i tha mjeshtrit: “Paskam qenë me këmbë të mbarë!” “Po, – ia ktheu ai, – mund edhe të mos dilte gjë farë, të ishte bosh”. Pastaj u hap një bisedë e çiltër, se restauratori i tregoi që ata kishin qenë shokë fëmijërie në një mëhallë dhe kishin luajtur futboll bashkë dikur, – ashtu si kishte qenë fëmijëria jonë. Zoti Nano qeshi me shpirt dhe e përqafoi me shumë dashuri. Vite më vonë e kam takuar këtë restaurator dhe e kujtuam episodin, porse kur më tha që e kishin hequr nga puna, një shije e hidhur më mbeti në shpirt. Po pse o njerëz deri këtu, pse?!
* * *
Fillimisht unë i nisa një e-mail të plotë ambasadores sonë në UNESCO, zonjës me iniciale T.GJ. Unë nuk e njihja personalisht, thjesht në distancë e kisha parë në Tiranë si një grua e hijshme dhe me sharm dhe dija që kishte studiuar në Francë. Përgjigja vonoi ca ditë. Ishte një letër e gjatë, gati më shumë se një faqe A4, që e lexova me një frymë. Iu ktheva e stërktheva. Një gjuhë e ftohtë, si një akull në lëkurë në kohë acari. Vetëm justifikime që kjo punë nuk mund të bëhej se nuk premtonte koha, se kishte pengesa administrative, se UNESCO ka rregulla strikte…! O Zot, thashë me vete, kjo e paska harruar Shqipërinë. Mundohesha ta përfytyroja se si e kishte shkruar këtë mesazh çarmatonjës. Ajo më vinte si një personazh filmi duke tymosur dhe duke kthyer konjakun me gllënjka të mëdha si për të hequr bezdinë. Nga na doli ky Përparim Kabo, këshilltari i kryeministrit për kulturën, që po më vë në siklet dhe do me çdo kusht të bëhet kjo punë?! Ndoshta ka hamendësuar që është “dora e fshehtë” e Nanos, i cili, për hir të së vërtetës, nuk e kishte dashur “delikatesën” e saj në zyrat kryeministrore, ku ajo kishte qenë ca kohë me “bekimin” e një tjetër kryeministri para Nanos. U ula dhe i shkrova pak fjalë. Stili? Akullit me akull! Cinizmit me cinizëm! Teksti qe pak a shumë i tillë. E citoj: “Kaq shumë fjalë për të thënë ‘Jo’, kur mund ta thoshit vetëm me një fjalë. Nëse Ju nuk e bëni dot, na thoni; ne mund të gjejmë dikë tjetër atje, ose këtu në Tiranë, që në detyrën tuaj do të thoshte: Deri në fund të luftoj për ‘Po’-në.” Kisha goditur. Zonja ambasadore doli nga limontia dhe hoqi “takat dhe ia dha vrapit”. Fillimisht te një burrë serioz dhe diplomat karriere në Strasburg asokohe, zoti Shpëtim Çaushi, që më njihte dhe e kishte pyetur se deri ku shkoja unë “me trup dhe me hije”. Ai i sqaroi që me këtë zotni nuk bëhet shaka. Kaq duhej. Pas kësaj, zonja T.GJ. bëri një punë të shkëlqyer. Nuk e di se si, por ajo e takoi drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s dhe mori garanci nga ai për përfshirjen në listë edhe të Gjirokastrës si një kandidaturë e mundshme. Mesazhi i dytë i saj ishte tjetër gjë; më i shkurtër, por nga gjërat më të bukura që fati më kishte dhënë në duar për të lexuar. Fjalë zemre, punë e shkëlqyer, shprehje dhe shumë modesti. Ajo grua m’u shfaq para syve tashti në një hijeshi sharmante dhe më e bukur se kurrë. Ajo zonjë realizoi kthesën në këtë histori. Ndokush mund të thotë sot: “Po mirë, për atë gjë paguhej, çfarë ka bërë më shumë që duhet t’i jemi mirënjohës?” Jo, nuk është ashtu zoti skeptiku anonim. Ajo e futi “çelësin në bravë” dhe ai hapi portën e madhe. Pa këtë hap, asgjë nuk mund të realizohej. Ndaj, mirënjohje zonja e bukur T.GJ.! Ju në këtë 10-vjetor të Gjirokastrës në UNESCO meritoni respekt maksimal. Hapi i parë qe hedhur.
E telefonova zotin Vaso Tole dhe e njoftova, që ai t’ia përcillte mesazhet zotit Blendi Klosi, asokohe ministër i Kulturës. Punohej në ekip me përkushtim dhe me shumë dashuri. Duhej realizuar hapi i dytë. Delegacioni në terren i ICOMOS-it të shprehej pozitivisht jo thjesht për vlerat kulturore, historike, unikale e muzeale, por edhe për mbrojtjen, konservimin, dhe të gjitha ato kushte dhe parametra që duheshin plotësuar nga pala jonë, duke përfshirë edhe legjislacionin, dhe aktet nënligjore në nivelin e pushtetit lokal. Ekipi i ekspertëve kishte mbërritur në Tiranë dhe përbëhej nga një grup jo i vogël, me përfshirje ekspertësh nga të gjitha kontinentet, por dhe nga rajoni, sigurisht. Ai drejtohej nga një grua italiane që e njihte vendin tonë. Ajo kishte dhe miq në Shqipëri. Mbaj mend që ishte një kanadez, një japonez, një kroat etj., burra dhe gra. Bashkë me Vaso Tolen dhe Blendi Klosin, e poqëm mendimin se do ishte mirë që t’i priste kryeministri. E bisedova me profesor Ksenofon Krisafin (kështu e kam thirrur gjithnjë këtë burrë të mençur dhe serioz, që nga koha e fakultetit). “Shumë mirë, – më tha, – ide e shkëlqyer, përgatit një MEMO me tezat e bisedës”. U krye ky formalitet në kohën e duhur. Vaso Tole na dha një informacion shumë të bollshëm profesional. Në një kohë rrufe erdhi përgjigjja e zotit Nano: Po. Porse, meqë ai do të lëvizte jashtë vendit për një shërbim, t’i kalohej zv/kryeministrit, zotit Namik Dokle kjo detyrë. Ajo mbrëmje ka qenë një “Vaterlo” e fituar nga ne. Takimi ishte lënë për në orën 18:00. Në orën 17:00 shkova në zyrë. Pas pak ia behu zoti Dokle. Në mënyrë naive mendova se mos kishte ngatërruar orën, dhe i them në korridor: “Zoti kryeministër, takimi është në orën 18:00”. “Po, – më tha me një zë shumë të butë njerëzor, – këtu jam në zyrë”. Grupi i ICOMOS-it kishte qenë në Gjirokastër, por si më tregonte një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme që i shoqëronte, nuk kishte mbetur i kënaqur. Po qëndronim në hyrje të godinës së Kryeministrisë nga krahu verior, kur grupi u shfaq. Ishte në të errur dhe nga figura ata njerëz m’u bënë si hije. Iu priva dhe i shoqërova në zyrën e zotit Namik Dokle. Për mirësjellje e mora dhe referentin e MPJ-së, thjesht për të dëgjuar, sepse ai nuk kishte status apo tagër për të qenë i pranishëm në atë takim. Biseda nisi e ftohtë, thjesht protokollare. Përkthente elokuenti Erion Kristo, – asokohe pak njiheshim. Unë e kisha uruar për përkthimet shumë të mira që ai u kishte bërë librave të Shopenhauerit. Erion Kristo atë natë shkëlqeu! Një harmoni mendimi, një gjuhë të zgjedhur në italisht dhe frëngjisht, me një fjalë u tregua i mrekullueshëm. Dukej sikur biseda po shkonte drejt një fataliteti, ata sikur donin të na thoshin: “Erdhëm pamë, ju humbët”. Zoti Dokle i la sa mbaruan dhe mandej ia nisi. Kurrë nuk e kisha dëgjuar ashtu nga aq pranë, me një kujtesë brilante, me argumente dhe me një patos prej atdhetari dhe burri shteti. Gjithçka nga tezat e MEMO-s ishin tashmë në elokuencën e tij. Garancia u dha e plotë, se qeveria shqiptare ishte serioze në këtë ndërmarrje dhe se ajo që kishte ndodhur në 1997-ën me Butrintin nuk do të përsëritej. U argumentua se zonat muzeale do të mbroheshin nga çdo lloj dëmtimi, qoftë edhe nga ndërtimet e banesave me leje të rregullt.
Kjo kishte qenë pika e kthesës. Gjithçka mori rrjedhë tjetër. Të gjithë anëtarët e grupit të delegacionit të ICOMOS-it dëshironin dhe e morën sërish fjalën. Nisi një tjetër qasje, u kthyen optimizmi, garancia dhe shpresa. Referenti i MPJ-së më thoshte me idiotizëm: “Ta mbyllim, se do shkojmë në restorant, se kemi bërë rezervim dhe u vonuam”. “Të hahet bukë? – i thashë unë. – Shko po deshe, bëra gabim që të mora këtu brenda, jashtë paska qenë vendi yt”. Heshti. Pas gati rreth dy orëve, biseda u mbyll me shtrëngim duarsh. Zoti Dokle iu dha dorën një e nga një. Falënderoj Erion Kriston me fjalët më të mira. Unë i shoqërova në dalje. Tek ishim në korridor, shefja e misionit të ICOMOS-it, italiania më ndaloi. “Dua t’ju them diçka që t’ia përcillni kryeministrit”. “Po, – i thashë, – po ju dëgjoj me kënaqësi”. Fjalët e saj ishin: “Në zyrën e zotit kryeministër gjërat funksionojnë ndryshe, në Gjirokastër pothuaj u zhgënjyem, sepse nuk morëm garanci për konservimin e zonës. Na u fol për mundësinë e ndërtimit dhe atje në atë hapësirë sepse ka probleme me strehimin …etj., etj.” “Faleminderit shumë, – i thashë, – do ia përcjell me një MEMO të veçantë, porse Ju zonjë, duhet të mbani parasysh se në këtë botë ka dy lloj dashurish. Ka dashuri për veten, por ka edhe dashuri për atdheun. Këtu në zyrën e zotit Nano, funksionon kjo e dyta. Kryebashkiaku i Gjirokastrës është inxhinier ndërtimi dhe ai do të ndërtojë pallate, porse kryeministri është me origjinë nga Gjirokastra, është akademik dhe do futjen e qytetit të gurtë, Lagjja Kala si pasuri e Trashëgimisë Botërore në UNESCO”. U përqafuam si dy miq të vjetër dhe ajo e mbylli bisedën ashtu në këmbë duke më thënë: “E bukur kjo e dy dashurive, më pëlqeu, s’e kisha dëgjuar. Me lejen tuaj do ta përdor kur të krijohet situata, sepse vërtet ia vleka.”
Më vonë kjo zonjë i pati thënë zotit Virgjil Muçi, edhe ai këshilltar i zotit Nano asokohe, se pritja në Kryeministri i kishte lënë mbresa shumë të mira dhe gati ishte surprizuar nga gjithçka. U ndava me zonjën dhe u ktheva në zyrën e zotit Dokle të përshëndetesha. Ai qëndronte i ulur dhe po shihte nga kompjuteri. Unë hyra me mendimin se kortezia do ishte e shkurtër dhe e thjeshë. Porse jo! Zoti Dokle më fali surprizën e dytë. U ngrit në këmbë, doli nga vendi ku qëndronte, erdhi drejt meje dhe më dha dorën e më përqafoi. Nuk i harroj fjalët e tij. “Ju falënderoj, zoti Kabo, kishit bërë një punë të shkëlqyer dhe besoj se do t’ia dalim mbanë”. Namik Dokle, në gjykimin tim personal është një njeri serioz dhe i përkushtuar. Edhe aktualisht mbajmë lidhje dhe paguajmë një respekt reciprok për njëri-tjetrin. Punët po shkonin mirë. Duhej edhe një garanci e fundit. Vendi organizator i mbledhjes së përgjithshme të UNESCO-s ku do të diskutohej dhe do të vendosej, do të zhvillohej në Kinë, dhe vendi organizator sigurisht kishte mundësi që të influenconte që kërkesa të futej te dhjetë të parat. Në shtator të vitit 2004, zoti Nano në krye të një delegacioni do të shkonte në Kinë. Në aspektin protokollar kjo punë paraprihet nga ambasadat e të dyja vendeve. Ndaj një ditë, në zyrën e sekretarit të përgjithshëm, zotit Ksenofon Krisafi, u thirr ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë. Pasi u fol për detajet e vizitës, me shumë “marifet” ambasadorit iu la të kuptohej se zoti Nano, në takimin që do të kishte me presidentin e Kinës, do t’i shprehte atij një vlerësim maksimal për punën e tij si ambasador. Personit në fjalë iu përkëdhel sedra dhe falënderonte pa fund, sepse kuptohej që, një konsideratë e tillë do të linte shenjë pozitive në karrierën e tij. Në këto rrethana, ishte shumë e drejtpërdrejtë kërkesa që iu bë për të na ndihmuar që kërkesa e vendit tonë për në mbledhjen e UNESCO-s, të kishte fatin që të listohej në shkallët e larta. Ai e kishte vizituar vetë qytetin e Gjirokastrës dhe kishte një përshtypje mbresëlënëse. Nuk e di se ç’bëri e si e se ku trokiti, por se ai e mbajti premtimin. Në vizitën e zotit Fatos Nano në Pekin, shtator 2004, gjatë takimeve me personalitetet e larta të atij vendi, gjendej momenti dhe rasti që të lihej të nënkuptohej se porosia ishte kryer. Gjirokastra do të ishte në listën prioritare të propozimeve në forumin vendimmarrës. Në mbledhjen e radhës së UNESCO-s, propozimi ynë ishte në listën e shkurtër dhe u votua. Kështu, në 15 korrik 2005, qyteti-muze i Gjirokastrës regjistrohet si Pasuri e Trashëgimisë Botërore, e mbrojtur nga UNESCO. Ishin ditët e fundit të korrikut 2005. Ndodhesha në zyrë kur erdhi lajmi. Një gëzim i ligjshëm. Kishim realizuar në grup një punë me vlerë për vendin tonë. Zgjedhjet e përgjithshme kishin mbaruar dhe PS-ja i kishte humbur. Pritej certifikimi përfundimtar për disa zona, që do të jepej nga Kolegji Zgjedhor. Kryeministri nuk ndodhej, kishte lëvizur jashtë vendit. I shkrova një e-mail, ku pasi ndaja me të gëzimin, i nënvizoja se, kudo në botën e civilizuar, edhe vetëm me këtë arritje, kryeministri do të hynte në historinë e vendit të tij, duke u kujtuar se ai regjistroi në Trashëgiminë Botërore një pjesë të historisë së vendit të tij. Përgjigjja e zotit Nano ishte lakonike, me gjuhën e paradoksit racional, aq tipike për mënyrën e tij të të shprehurit, pak a shumë e tillë: “Kam frikë se në të ardhmen do të ketë më shumë harresë sesa kujtesë”. Ja, sot në 15 korrik 2015, përkujtohet ky 10-vjetor, porse festimi nuk bën pjesë të tij ata që e realizuan këtë vepër historike. Nejse, u mësuam me këto neglizhenca, pak rëndësi ka. Duhet shkuar edhe në veriun e vendit, dhe mirë do të ishte të nisej me Kalanë e Rozafës. Të tri veprat muzeale, pjesë të trashëgimisë botërore, Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë në jugun e Shqipërisë, ndërsa historia, vlerat dhe objektet monumentale janë edhe në veriun tonë, epik e me kontribute. Duhet mbërritur edhe atje.
Të besojmë se këtë do ta bëjnë qeveritarët dhe ekspertët e sotëm. Modeli se si është, veç duhet konsideruar!
Historia vazhdon…
(d.d/GSH/BalkanWeb)
