E shtrirë në një shtrat spitali në kryeqytet, Olha Zolotova rrëfen me zë të ulët tmerrin që përjetoi kur treni i saj u godit nga një dron rus.

“Sytë më u errën, gjithçka digjej. Flokët më morën flakë dhe isha e bllokuar,” thotë ajo.

Ngjarja ndodhi në stacionin hekurudhor të Shostkës në rajonin e Sumy-t, ku një dron i tipit “Shahed” goditi trenin në të cilin punonte Olha. Pak çaste më vonë, një tjetër dron përplasi të njëjtin stacion në një sulm të dyfishtë që Ukraina e cilëson si shënjestrim të drejtpërdrejtë të civilëve – një krim i mundshëm lufte sipas ligjit ndërkombëtar.

Nga sulmi mbetën të plagosur 30 persona, përfshirë tre fëmijë, ndërsa një burrë humbi jetën, me gjasë nga një atak kardiak.

Sipas operatorit hekurudhor ukrainas Ukrzaliznytsia (UZ), sulmet ndaj rrjetit hekurudhor janë dyfishuar gjatë muajve të fundit. Zyrtarët thonë se gati gjysma e të gjitha goditjeve ndaj hekurudhave që nga fillimi i luftës kanë ndodhur vetëm në dy muajt e fundit.
Oleksiy Balesta, zëvendësministër i Transportit, thekson se Rusia po synon qëllimisht trenat dhe infrastrukturën mbështetëse, përfshirë lokomotivat, stacionet dhe sistemet energjetike.

“Pothuajse çdo ditë kemi sulme ndaj infrastrukturës sonë,” thotë ai, ndërsa njoftohet për një tjetër sulm në trenin midis Kramatorskut dhe Slovianskut, pranë vijës së frontit.

Sipas analistëve, Rusia po përdor tani dronët si armë strategjike për të paralizuar lëvizjet e brendshme të Ukrainës, për të dëmtuar ekonominë dhe për të shkaktuar panik tek civilët.

Megjithatë, Ukraina nuk është dorëzuar. Drejtori ekzekutiv i UZ-së, Oleksandr Pertsovskyi, thekson se vendi po përgjigjet me plane emergjente, trajnim të stafit dhe koordinim me ushtrinë.

“Qëllimi ynë është që asnjë shërbim të mos anulohet. Nëse treni nuk mund të ecë, ne përdorim autobusë. Gjithmonë kemi Planin B, C dhe D,” deklaron ai.

Në stacionin qendror të Kievit, punonjësit e hekurudhave që kanë luftuar flakët gjatë sulmeve shpërblehen me certifikata guximi dhe pagë shtesë, duke u quajtur me krenari “Heronjtë e Hekurt”.

Ndërkohë, kërcënimet ndaj infrastrukturës nuk po ndalen. Rusia ka intensifikuar gjithashtu sulmet ndaj sistemeve energjetike, duke lënë qindra mijëra qytetarë pa energji elektrike, ndërsa Ukraina ka kundërpërgjigjur me sulme ndaj rafinerive ruse.

Me dimrin që afrohet, zyrtarët ukrainas paralajmërojnë për një sezon të ashpër dhe u bëjnë thirrje aleatëve për më shumë mbështetje, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.

“Por nuk jemi të dëshpëruar,” thotë Pertsovskyi. “Ukrainasit mbeten të fortë në shpirt.” Kjo forcë do të vihet në provë, ndërsa vendi përgatitet për dimrin e katërt të luftës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb