Atmosferë e veçantë në Milanello në prag të derbit të madh. Massimiliano Allegri mban fokusin te objektivi Champions League, por brenda skuadrës kuqezi ka ende besim se gara për titullin nuk është mbyllur. Mesazhi është i qartë: gjithçka kalon nga derbi.

Sipas mediave italiane, lojtarët më me eksperiencë kanë bërë një pakt: të fitojnë përballjen me Interin dhe të mbajnë gjallë ëndrrën e scudettos. Diferenca aktuale mund të ngushtohet ndjeshëm me një fitore, duke i ushtruar presion kryesuesve në një sezon të gjatë dhe të lodhshëm.

Milani vjen pas një fitoreje dramatike ndaj Cremoneses dhe tani ka në shënjestër sfidën e së dielës në “San Siro”. Lajme pozitive vijnë nga infermieria: Davide Bartesaghi ka pësuar vetëm një tërheqje muskulore pa dëmtime serioze dhe do të vlerësohet ditë pas dite për të qenë gati në derbi.

Ndërkohë, Santiago Gimenez është drejt rikthimit. Sulmuesi meksikan, i munguar prej muajsh pas operacionit në kyçin e këmbës, ka marrë sinjale pozitive nga kontrollet mjekësore dhe pritet t’i bashkohet grupit në ditët në vijim.

Derbi do të jetë momenti i së vërtetës. Për Allegrin objektivi mbetet Champions League, por një fitore ndaj Interit mund të hapë skenarë krejt të rinj në garën për titull.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: