Pesë persona shoqërohen në komisariat për vrasjen në Durrës, ku humbën jetën Arianit Kurti dhe Flori Paluçi.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Haxhiaj.

Mësohet se të gjithë të shoqëruarit ishin në lokal në momentin e ngjarjes, ndërsa kanë dhënë para hetuesve të njejtin variant, pra që konflikti ka nisur për ekspresin e kafesë.

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa, së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe. Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamarierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që ti nuk mund ta fyesh, pasi kamarieri është ulur në tavolinë me mua. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Arianit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.

Ndërkohë versioni i dhënë nga kamerierët dhe dëshmitarët vërtetohet edhe nga pamjet nga kamerat e sigurisë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb