Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka kritikuar ashpër ligjin për portet turistike, duke e cilësuar si një nismë klienteliste që dëmton konkurrencën e ndershme dhe favorizon një grup të kufizuar biznesmenësh.

Sipas Himçit, ligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe shumica qeverisëse përbën një tjetër rast të “ligjeve me porosi”, duke pretenduar se që nga ardhja në pushtet janë miratuar dhjetëra të tillë.

I ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, ai theksoi se kjo nismë cenon parimet e konkurrencës së lirë dhe bie ndesh edhe me direktiva të Bashkimi Europian, duke paralajmëruar mungesë transparence dhe kontrolli parlamentar në procesin e dhënies së licencave.

“Ligj me porosi, klientelist i radhës, në vazhdën e 18 ligjeve të tilla që janë miratuar nga kjo qeveri që nga ardhja në pushtet dhe janë bërë për një grup të caktuar. Cënohet pjesa e konkurencës së ndershme. Cënohen edhe tre direktiva të BE, nuk do të kemi më konkurrencë të ndershme, ligji do të përcaktohet nga qeveria me një vendim të mbyllur të saj dhe do të mungojë kontrolli parlamentar për procedurën e dhënies së licencave të porteve në mënyrë të përbashkët. Investitori strategjik do të përfitojë lirshëm edhe portin.
Në komisionin përgjegjës ku jam nënkryetar, pyetjet ishin: a ka pasur kërkesa të tilla nga investitorët strategjikë dhe na u tha jo. U tha se Banka Botërore ka lënë detyrë të zhvillohen portet. Kur në fakt turizmit nuk i ofrojmë shërbimin e kualifikuar apo infrastrukturën. Për këto gjëra Shqipëria është e papërgatitur.
Projektligji është propozuar të martën, gjithçka u miratua për 10 orë.
Cënimi i konkurrencës së ndershme privilegjon disa oligarkë pranë Ramës dhe biznesi është jo më në pozitë të barabartë, dikush favorizohet dikush diskriminohet. Rama favorizon elitën”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb