Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i ftuar në studion e “News24”, ka komentuar ngërçin në Gjykatën Kushtetuese lidhur me marrjen e një vendimi për çështjen “Balluku”.
Kume theksoi se Kryeministri i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që problemi të zgjidhet përfundimisht, duke nënvizuar se kjo çështje ka një rëndësi të veçantë institucionale. Sipas tij, është e domosdoshme të sqarohet nëse në këtë rast kemi një mbivendosje të kompetencave mes pushteteve.
“Nëse jemi përballë një kërkese të tillë, duhet të sqarohet përfundimisht mbivendosja e pushteteve. Gjykata Kushtetuese duhet ta zgjidhë këtë çështje, pavarësisht kohës që i nevojitet për ta trajtuar”, u shpreh Kume.
Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese merret gjithmonë me çështje teknike që lidhen me ligjin dhe zbatimin e tij, dhe jo me raste personale, ndaj vendimi i saj pritet të ketë vlerë parimore.
Nga ana tjetër, Kume u shpreh kritik ndaj pritjes së Këshillit të Mandateve për një vendim nga GJK. Sipas tij, nuk është normale që ky institucion të presë, pasi kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Ballukut nuk ka lidhje formale apo direkte me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
“SPAK i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë konkrete dhe kjo procedurë nuk ka pse të bllokohet duke pritur një vendim të GJK-së”, përfundoi Kume.
