Kryeministri Edi Rama është shprehur përmes një postimi në X se sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon ” farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave”.

Rama u shpreh kritik duke shkruar se “tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave”.

Në përfundim ai vlerësoi mospërfshirjen e Prokurorisë së Posaçme në këtë proces. “Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, shkroi ai.

Reagimi i Edi Ramës:

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit🙏

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb