Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 detaje në lidhje me vendimin e marrë sot nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë për çështjen e pagave të gjyqtarëve në vend.
Në përfundim të një seance që zgjati më shumë se 8 orë, GJK shpalli vendimin që lidhet me këtë çështje të diskutuar. Konkretisht, me shumicë votash, Gjykata vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve, duke shfuqizuar fjalinë e parë të shkronjës “a” të nenit 1 dhe pikën 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023, “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Po ashtu, GJK vendosi të detyrojë Kuvendi i Shqipërisë të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme në përputhje me këtë vendim, brenda datës 31 korrik 2026.
Si nisi përplasja për pagat?
Sipas Lalës, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pagave të tyre. Sipas ndryshimeve të vitit 2016, paga e gjyqtarëve referohej te ajo e drejtorit të departamentit pranë Këshillit të Ministrave.
Në vitin 2023, mazhoranca ndryshoi formulën e referencës, duke e lidhur pagën e gjyqtarëve me pagën e Presidentit të Republikës, që është ndër më të lartat në administratën shtetërore. Nga ana tjetër, gjyqtarët argumentuan se paga e Presidentit nuk ndryshon dhe nuk indeksohet, çka sipas tyre solli në praktikë cenim të të drejtave të fituara me ligjin e mëparshëm.
Kushtetuta parashikon se paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet, pavarësisht rrethanave. Në vendimin e saj, GJK thekson se, bazuar në thelbin e pretendimeve të parashtruara, i ka vlerësuar ato në këndvështrimin e nenit përkatës kushtetues që garanton mosuljen e pagës së gjyqtarëve.
