Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e deklaroi fajtor të martën më 7 prill biznesmenin Rezart Taçi për veprat penale të pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal dhe e dënoi atë me 11 vjet burgim. Po ashtu, u vendos konfiskimi i vlerës prej 18.3 milionë eurosh që transferua prej Zvicrës në Shqipëri, e cila kishte si destinacion të synuar Hong Kongun.

Seanca e së martës ishte e disata radhazi e planifikuar për konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes së Taçit. Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri bëri me dije se avokatja e zgjedhur prej Taçit, Ilenja Mëhilli kishte njoftuar se nuk mundej të paraqitej pasi ishte në një seancë gjyqësore paraprake në një gjykatë italiane, si dhe kishte propozuar datat kur mund të ishte e lirë. Avokati tjetër i zgjedhur, Ledion Branko u shpreh se nuk i kanë përfunduar ende konkluzionet përfundimtare, pasi presin vendimarrjen e një gjykate italiane për të njëjtën çështje ndaj Taçit. Sipas tij, ajo vendimarrje është thelbësore për përgatitjen e bisedimeve përfundimtare dhe kërkoi kohë e shtyrjen e seancës.

Pasi gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi për të vendosur mbi vijimin e seancës, e cilësoi jo legjitim kërkesën e Mëhillit, duke sjellë në vëmendje edhe faktin se në sallë gjendeshin dhe dy avokatët e tjerë, një i zgjedhur dhe tjetri i caktuar kryesisht.

Kryesuesja Ulliri konstatoi se prej paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga ana e SPAK më datë 24 shkurt, ishin shtyrë katër seanca me kërkesë të mbrojtes për shkak të mospërgatitjes së bisedimeve përfundimtare dhe e njëjta situatë po paraqitej edhe në seancën e pestë të radhës.

Sipas gjykatës, paraqitja e konkluzioneve përfundimtare është një e drejtë dhe jo detyrim, e për rrjedhojë konstatoi mungesën e vullnetit të avokatëve për ti parashtruar ato.

Pasi mbrojtësit ripërsëritën se nuk ishin ende gati, gjykata vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq për vendim që e shpalli pas rreth një ore. Taçi u deklarua fajtor për të dy akuzat. Për pastrimin e produkteve të veprës penale u caktua dënimi me 11 vjet heqje lirie dhe për grup të strukturuar kriminal me 2 vjet burgim. Në Bashkim të dënimeve u aktua masa përfundimtare me 11 vjet burg. Procesi ndaj Taçit u zhvillua me gjykim të zakonshëm, nga për rrjedhojë ai nuk përfitoi ulje dënimi.

Taçi u shpall në kërkim që prej nëntorit 2021, si pjesë e një grupi të hetuar në Itali me akuzën e pastrimit të parave të Cosa Nostra. Ai akuzohet se u përfshi në një përpjekje për të pastruar një shumë prej 18,3 milionë eurosh në Shqipëri, të cilat prokuroria i bllokoi në një llogari bankare si pjesë e procedimit.

Çështja në ngarkim të të pandehurve të tjerë u veçua nga Taçi, pasi ndaj këtij të fundit u vijua gjykimi me procedurë të zakonshme. Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimarje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor.

Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb