Laert Haxhiu, kundërshtari kryesor i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare është dënuar nga GJKKO me burgim të përjetshëm.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se GJKKO mësohet se ka pranuar kërkesën e SPAK për dënimin me burgim të përjetshëm të Haxhiut, që është nën akuzë për masakrën e Lushnjës në 2017, ku u vranë dy persona.

Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares dhe Jurgen Hoxha janë qëlluar me automatik në një lokal pranë qendrës së Lushnjës, ndërsa edhe dy persona të tjerë u plagosën nga kjo ngjarje në mënyrë aksidentale. Po me burgim të përjetshëm janë dënuar më herët për masakrën e Lushnjës edhe bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Atentati nisi që në vitin 2016, kur u tentua që të ekzekutohet nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, ngjarje për të cilën Haxhiu ishte shpallur në kërkim, dënuar me 18 vite burg në mungesë. Në kohën që i fshihej drejtësisë, Haxhiu përgatiti planin për vrasjen e dy personave në Lushnjë.

Disa vite pas masakrës, Laert Haxhiu u arrestua në Janinë të Greqisë në maj 2023. Gjykata e Apelit në Janinë i ka hapur rrugë ekstradimit të tij në Shqipëri. Mirëpo, 31-vjeçari ka një mundësi të fundit për ta kundërshtuar vendimin e eksradimit në Gjykatën e Lartë në Janinë.

NJOFTIM PËR MEDIAT

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e çështjen penale me Nr. akti 4/5/13/47/88, datë 17.12.2020, në ngarkim të të pandehurit: Laert Haxhiu, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim kryer për hakmarrje”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Xhulio Shkurti, kryer në bashkëpunim të veçantë atë grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2 e 22, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, në dëm të viktimave Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, e mbetur në tentative, në dëm të shtetasve Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, në lidhje me nenet 22 – 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim në veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 274, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal” në formën e krijimit, organizimit dhe drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/l i Kodit Penal.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Erjon Çela, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi bazuar në nenet 22, 28/4, 55, 78/2, 79/dh, 333/a/1, 334/1/2 të K.Penal, nenet 4/2, 387, 328/1 shkronja “ç”, 390, 393 dhe 485 të K.Pr.Penale me vendimin Nr. 26, datë 24.04.2024 vendosi:
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” për hakmarrje, mbetur në tentativë ndaj viktimës Xhulio Shkurti, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë, në lidhje me nenet 22 dhe 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
  4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, ndaj viktimave Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 79/dh, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
  5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
  6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
  7. Pushimin e akuzës penale në ngarkim të të pandehurit Laert Haxhiu për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 274, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal, pasi ndjekja penale nuk duhet të fillonte.
  8. Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i K.Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Laert Haxhiu me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm.
  9. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Laert Haxhiu të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.
  10. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit i lihen në ngarkim të pandehurit Laert Haxhiu në mënyrë solidare bashkë me të dënuarit Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi, ndërsa shpenzimet e gjykimit i lihen në ngarkim të pandehurit Laert Haxhiu.
  11. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot më datën 24.04.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: