Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mërkurën më 26 nëntor deklarimin fajtor të zyrtarit të drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dritan Stoka dhe kryeplakut të Lagjes së Re Sauk, Agim Osma, të akuzuar për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje” – vepra penale të kryera në bashkëpunim gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
I gjykuari Dritan Stoka u gjet fajtor për të dy veprat penale për të cilat u akuzua dhe u dënua në total me 3 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet heqje lirie.
Po ashtu, i pandehuri Agim Osma është gjetur fajtor për të dy akuzat dhe është dënuar me të njëjtën masë përfundimtare, 2 vjet heqje lirie. Në këtë rast, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur, duke e vendosur të pandehurin Agim Osma në provë për një periudhë kohe prej 24 muaj.
Sipas SPAK, të akuzuarit kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.
Po ashtu, nga bisedat e përgjuara, ka rezultuar se të pandehurit kanë kërkuar dhe marrë përfitime të parregullta për të ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve.
Në zgjedhjet e vitit 2019, opozita nuk mori pjesë dhe partia e vetme realisht në garë ishte Partia Socialiste, e cila i fitoi zgjedhjet./ BIRN
