Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka publikuar një postim të ashpër në Facebook lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut dhe hetimin e SPAK-ut ndaj saj, duke e konsideruar atë si “faza finale e Rilindjes”.
“Belinda mund të jetë limoni i shtrydhur ose bishti i dardhës së Rilindjes. Kjo është zgjedhja e saj, por ajo që po ndodh është fundi i Rilindjes,” shkruan Hoxha.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore i takon kryeministrit Edi Rama:
“Belinda nuk i ka vjedhur vetë ato para dhe nuk ishte ajo që e mori Ramen në Turqi. Ishte pikërisht Rama ai që e detyroi të prishte tenderin e parë dhe t’ia rriste vlerën edhe me pesëdhjetë milionë euro.”
Hoxha i ka cilësuar drejtuesit aktualë si “grup hajdutesh” dhe ka bërë thirrje për ndryshim të menjëhershëm:
“Ky grup nuk mund të qeverisë më Shqipërinë. Vendi ka nevojë urgjente për një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme. Shqipëria që aspiron Europën dhe është vend anëtar i NATO-s nuk mund të kthehet në parajsë të korrupsionit dhe lavatriçe të pastrimit të parave të grupeve kriminale.”
Në fund, Hoxha i ka bërë thirrje edhe opozitës për vetëpastrim: “Opozita e ka jetike të pastrohet nga mercenarët politikë dhe sorosianët, që të jetë e aftë t’u prijë ndryshimeve të mëdha. Rama duhet të përgatitet për dorëheqje ose do të duhet të shpallet publikisht si kreu i organizatës kriminale ‘Rilindja’.”
