Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 3 nëntor seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa në sallën e gjyqit e avokatëve të zgjedhur nga të pandehurit, si dhe e avokatëve të caktuar nga lista e ndihmës juridike falas, të cilët ishin përzgjedhur nga GJKKO në seancën e kaluar.

Ndërkohë, përmes një deklarate, Erion Veliaj ka kërkuar që të mbrohet vetëm nga avokati i tij, Plarent Ndreca, duke kundërshtuar përfaqësimin nga avokatë të tjerë, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Seanca e radhës për çështjen ndaj Veliajt dhe të bashkëpandehurve pritet të mbahet më 3 nëntor.

SPAK e akuzon Veliajn se ka kaluar fonde të Bashkisë në adresa të Organizatave jofitimprurëse që zotërohen në mënyrë direkte apo të tërthorte nga bashkëshortja e tij.

Çifti Xoxa Veliaj akuzohet po ashtu, se kanë përfituar rryshfet nga biznesmenët që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, përmes kompanive dhe organizatave jofitimprurëse që kontrollon Xoxa dhe kompanitë e biznesmenit Elman Abule, është kryer pastrim parash.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: