Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Mjetet dhe këmbësorët që nuk respektojnë semaforin do të gjobiten nga 500 deri në 2 mijë lekë gjobë. Për drejtuesit e mjeteve që kapen me përsëritje shkeljesh do të aplikohet pezullimi i lejes së drejtimit nga 9 deri në 12 muaj.
Ndërsa për drejtuesit e mjeteve që u hiqet e leja e qarkullimit, shoferët duhet t’u rikthehen autoshkollave. Masat kanë hyrë në fuqi dje, në zbatim të Kodit të ri Rrugor. Sipas kodit të ri, këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve, të cilët hapin rrugë të reja për të kaluar, duke ndryshuar ato ekzistuese, marrin gjobë nga 100.000-400.000 lekë.
Gjobat për këmbësorët
Në pikën katër të nenit 189 të Kodit të ri Rrugor është përcaktuar se cilido që shkel dispozitat parashikuar në kod, si për këmbësorët edhe për drejtuesit e mjeteve, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Në ligj këmbësoret detyrohen të qarkullojnë në trotuare, bankina, shëtitore dhe hapësira të tjera të caktuara për ta. Kur këto mungojnë, janë të zëna, të ndërprera ose të pamjaftueshme, duhet të qarkullojnë në buzën e karrexhatës në sens të kundërt me lëvizjen e mjeteve dhe në mënyrë të tillë që të krijojnë një pengesë sa më të vogël për qarkullimin.
Jashtë qendrave të banuara, këmbësorët kanë për detyrë të qarkullojnë në sens të kundërt me atë të lëvizjes së mjeteve në karrexhata me dy sense lëvizjeje dhe në buzën e djathtë në lidhje me drejtimin e lëvizjes së mjeteve në rastin e karrexhatave me një sens lëvizjeje.
Këmbësorët që qarkullojnë në karrexhatat e rrugëve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, pa ndriçim publik, kanë për detyrë të lëvizin në një rresht të vetëm. Është e ndaluar për këmbësorët të kapërcejnë kryqëzimet në mënyrë diagonale dhe gjithashtu, ndalohet kapërcimi i shesheve jashtë vendkalimeve këmbësore, kur ato ekzistojnë.
Detyrimet për shoferët
Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t’u japin përparësi, duke ngadalësuar dhe kur është e nevojshme, duke ndaluar këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore. Drejtuesit e mjeteve që kthehen për t’u futur në një rrugë tjetër, në hyrjen e së cilës gjendet një vendkalim këmbësorësh, duhet t’u japin përparësi, duke ngadalësuar dhe kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkapërcimet këmbësore, kur atyre nuk u është ndaluar kalimi.
Në rast të kundërt, gjobitet 500 deri në 2000 lekë. Ligji detyron drejtuesit e mjeteve të ndalojnë kur një person invalid me aftësi lëvizjeje të kufizuara ose që lëviz me karrocë invalidësh, ose i pajisur me shkop të bardhë, ose i shoqëruar me një qen drejtues, ose sidoqoftë i dallueshëm në njëfarë mënyre, kapërcen karrexhatën, ose ka ndërmend ta kapërcejë dhe duhet të shmangin situata të rrezikshme, që mund të shkaktohen nga veprime të gabuara a të ngathëta të fëmijëve dhe të të moshuarve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
