Një grup personash dyshohet se i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh pronarit të një hoteli në Radhimë dhe e kanë kërcënuar se duhet të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Policia ka arrestuar 5 persona, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, drejtues Edvin Ndreu, bëri me dije se ngjarja u raportua rreth orës 11:30, kur pronari i hotelit, njoftoi policinë se ishte dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri nga disa persona.
Menjëherë pas njoftimit, policia ngriti pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës, në Dhërmi, si dhe në qarqet Fier e Gjirokastër. Paralelisht u ngrit një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
