VLORE- Detaje të reja dalin në dritë nga aksioni i përbashkët i dy policisë, asaj shqiptare dhe italiane, për kapjen e një gomoneje që dyshohet se transportonte lëndë narkotike. Gazetari Enrik Mehmeti raporton për ‘BalkanWeb’ se mjeti i lundrimit me dy motorë është pikasur nga radari i Policisë Kufitare Shqiptare, dhe më pas ka nisur ndjekja e gomones rreth orës 15:00.

Për mjetin e dyshimtë janë sinjalizuar edhe policia italiane, ndërsa të dyja policitë janë vënë në ndjekje të gomones, brenda të cilës thuhet se ka tre persona. Po ashtu, ‘BalkanWeb’ mëson se mjeti është nisur nga Itali dhe ka ndaluar në Gadishullin e Karaburunit, ndërsa ka dyshime se aty do të ngarkohej me drogë.

Aktualisht gomoneje ka hyrë në ujërat e Italisë, ndërsa vijon aksioni për kapjen e saj. Po ashtu, policia shqiptare po ushtron kontroll edhe në Karaburun për të parë nëse ka lëndë narkotike të fshehura apo dhe persona të ndonjë rrjeti trafikantësh.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: