N/kryetari i PD dhe nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, ka dënuar sjelljen e sotme në Kuvend të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla ndaj deputetes Albana Vokshi.
Gjekmarkaj, në një postim në rrjetin social facebook, thotë se shprehje të tilla vulgare dhe denigruese, që synojnë të poshtërojnë një grua dhe një përfaqësuese të zgjedhur të qytetarëve, janë një akt i papranueshëm që turpëron institucionin e Parlamentit dhe degradon rëndë etikën e debatit politik në vend.
“Sjellje të tilla tregojnë arrogancë, mungesë respekti dhe një kulturë politike që ka zëvendësuar argumentin me fyerjen.
Parlamenti nuk mund të kthehet në një hapësirë ku gjuha e rrugës përdoret për të intimiduar dhe poshtëruar kundërshtarët politikë.
Kërkoj publikisht nga drejtuesi i Kuvendit të Shqipërisë që të reagojë dhe të mos tolerojë këtë degradim të papranueshëm të etikës parlamentare”, shkruan Gjekmarkaj.
Agron Gjekmarkaj: Dënoj me indinjatë të thellë gjuhën e ulët dhe fyese të përdorur sot nga Taulant Balla ndaj deputetes Albana Vokshi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Shprehje të tilla vulgare dhe denigruese, që synojnë të poshtërojnë një grua dhe një përfaqësuese të zgjedhur të qytetarëve, janë një akt i papranueshëm që turpëron institucionin e Parlamentit dhe degradon rëndë etikën e debatit politik në vend.
Kur një drejtues i një grupi parlamentar përdor një gjuhë të tillë, ai nuk fyen vetëm një deputete, por ofendon çdo grua shqiptare dhe vetë dinjitetin e institucionit që përfaqëson.
Sjellje të tilla tregojnë arrogancë, mungesë respekti dhe një kulturë politike që ka zëvendësuar argumentin me fyerjen.
Parlamenti nuk mund të kthehet në një hapësirë ku gjuha e rrugës përdoret për të intimiduar dhe poshtëruar kundërshtarët politikë.
Kërkoj publikisht nga drejtuesi i Kuvendit të Shqipërisë që të reagojë dhe të mos tolerojë këtë degradim të papranueshëm të etikës parlamentare.
Politika shqiptare ka nevojë për debat, argument dhe respekt jo për fyerje, vulgaritet dhe dhunë verbale. Heshtja përballë një gjuhe të tillë do të ishte bashkëfajësi. Sot është detyrë e çdo përfaqësuesi publik të ngrejë zërin kundër këtij degradimi të papranueshëm të jetës parlamentare.
