Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ishte sot pjesë e tryezës së diskutimit “Përtej monitorimit: Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, ku foli në lidhje me zgjedhjet e 11 majit dhe problematikat të cilat janë vërejtur gjatë këtij procesi.
Ballanca u shpreh se aksesueshmëria në qendrat e votimit është e njëjtë prej të paktën tre palë zgjedhjeje, gjendje që vijon njëlloj, sipas saj, edhe pas takimeve me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi.
“Zgjedhje pas zgjedhjesh mbetemi me të njëjtat problematika, pasi të paktën në 8 vitet e fundit nuk kemi ndryshuar mendësinë. Vijojmë të kemi një mendësi përçarëse dhe kultivojmë idenë që fituesi i merr të gjitha. Nëse kjo frymë do të vijojë të mbetet në mendjen e qytetarëve duke ngritur kultin e më të fortit do të kemi procese zgjedhore që vështirësisht do të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Gjuha e përdorur është kontroverse, vijon të mbetet e tillë”, u shpreh ajo.
(BalkanWeb)
