Një gjykatës federal të enjten lëshoi një urdhër ndalimi dy-javor duke bllokuar administratën Trump të ecë përpara në një përpjekje për t’i dhënë fund të drejtës për shtetësinë me anë të lindjes në territorin amerikan për fëmijët e emigrantëve pa dokumente dhe vizitorëve të huaj.
Vendimi i Gjykatës së Qarkut të SHBA, i cili zbatohet në mbarë vendin, erdhi si përgjigje ndaj një padie nga një koalicion shtetesh – Uashington, Arizona, Illinois dhe Oregon – që argumentonte se urdhri ekzekutiv i Shtëpisë së Bardhë, të cilin Presidenti Donald Trump e nënshkroi të hënën, është antikushtetues.
Çështja është një nga disa padi që sfidojnë urdhrin ekzekutiv të Trump, për të cilin presidenti tha se do të hynte në fuqi në mes të shkurtit. Një tjetër koalicion prej 18 shtetesh dhe Uashington, D.C., ngritën një padi të ngjashme në Massachusetts, dhe të paktën tre grupe të ndryshme të të drejtave civile po ndjekin sfidat e tyre ligjore.
Fitimi i shtetësisë me anë të lindjes në territorin amerikan u krijua me Amendamentin e 14-të dhe u miratua nga Kongresi në 1868, dhe përfshin një klauzolë që thotë: “Të gjithë njerëzit e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku ata banojnë.”
Ndihmësit e Trump thanë se urdhri ekzekutiv përcakton se administrata ka autoritet të ndalojë shtetësinë e fituar me anë të lindjes në SHBA, sepse emigrantët e paautorizuar ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme dhe, për rrjedhojë, nuk janë “subjekt i juridiksionit” të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Në padinë e paraqitur në gjykatën federale në Distriktin Perëndimor të Uashingtonit, avokatët e katër shteteve thanë se urdhri shkel Kushtetutën dhe argumentuan se mijëra të porsalindur në juridiksionet e tyre do të dëmtohen çdo vit. Në të gjithë vendin, thuhet në dosje, rreth 153,000 fëmijë lindin nga dy prindër pa dokumente çdo vit.
