Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar ashpër pasi kryeministri Edi Rama nxori emrin e shtetasit Ergys Llanaj duke e etiketuar si person me precedentë penalë, pas shoqërimit të tij në protestë nga forcat e policisë.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Lapaj e ka cilësuar kryeministrin si “klloun 2 metra i gjatë” dhe ka hedhur poshtë akuzat e ngritura, duke zbuluar profilin e vërtetë të Llanajt dhe duke vënë në dukje vendimet e gjykatave.
“E arrestuan Ergysin në 4 janar. Gjykata e deklaroi arrestimin të paligjshëm. Gjykata vendosi më vonë edhe pushimin e procedimit se fakti penal nuk ekzistonte. Del sot kreu i bandës që e kemi për kryeministër dhe thotë Ergys Llanaj ka precedent penal.”
Lapaj renditi arritjet e jashtëzakonshme akademike dhe profesionale të Llanajt, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shkolluara dhe më patriote në vend:
“Ergys Llanaj ka mbi supe 10 vite shkollim ushtarak në shkollat më të mira në botë të paguara nga shteti shqiptar. Ka mbi supe 18 vite angazhim në ushtri në misione ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ka mbi vete 3 certifikata sigurie të NATO-s për 15 vite rresht. Është Doktor Shkencash në Ushtri, ka 3 mastera shkencorë, mban titullin avokat. Nuk di a gjente sot një njeri më të shkolluar dhe patriot se Ergys Llanaj t’i bënte fletërrufe!”
