Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për garanci financiare, duke e lënë atë në qeli.
Kulluri u shpreh se ndryshe nga pretendimet e dy partive kryesore politike, të cilat përpiqen të krijojnë perceptimin se organet e reja të drejtësisë po tregohen represive, vendimi për mbajtjen në burg të ish-kryebashkiakut të Tiranës është plotësisht i bazuar në ligj dhe në rrethanat e dosjes.
Gjatë analizës së tij, Kulluri bëri një krahasim mjaft interesant mes dy dosjeve të bujshme të SPAK-ut, duke nxjerrë në dritë emrin e Ergys Agasit si njeriu kyç pas aferës së AKSHI-t, ndryshe nga rasti i Bashkisë së Tiranës ku në majë të piramidës qëndron vetë Veliaj.
“Nuk kemi të bëjmë me represion. Po t’i marrim rastet në analizë, ato ndryshojnë. Në rastin e AKSHI-t, vërtet zonja Mirlinda Karçanaj është drejtuesja zyrtare e institucionit, por strumbullari i vërtetë është Ergys Agasi, jo ajo. Hetimi e ka zbuluar se është ai që ka vënë në lëvizje mekanizmin kriminal. Ndërsa në rastin e Bashkisë së Tiranës, në majë është Erion Veliaj. Veliaj ka përgjegjësinë kryesore në këtë rast,” deklaroi Kulluri.
Sa i përket masës së paraburgimit, analisti theksoi se kjo procedurë parashikohet qartë nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe nuk ka asgjë diktatoriale, pasi zbatohet kur ekziston rreziku i dëmtimit të hetimeve. Sipas tij, Veliaj ka kryer veprime konkrete për të ndikuar te dëshmitarët përmes deputetes Klotilda Bushka.
“Masa ekstreme e paraburgimit është e parashikuar nga KEDNJ. Ligji shqiptar nuk është as afrikan e as komunist diktatorial, por bazohet në prerogativa ligjore. Veliaj na rezulton pjesë e disa aferave të dyshuara korruptive. Inceneratori është hetim më vete, por ai nuk është i pari i asaj afere. Ajo që rëndon pozitën e tij është se Veliaj ka intimiduar dëshmitarë përmes Klotilda Bushkës. Ai është një potencial i pastër për të përsëritur vepra penale, ka kapacitetin për të prishur provat dhe për të cenuar dosjen. Ligji thotë qartë se në këto raste ushtrohet paraburgimi, ndaj këtu nuk ka asnjë tragjedi,” përfundoi Kulluri.
