Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të Emiljano Shullazit, duke vulosur dënimin me 14 vite burgim për kreun e bandës që zhvaste biznesmenët përmes shantazhit dhe grup kriminal. Kolegji penal vendosi mospranimin e rekursit edhe për anëtarët e tjerë të grupit kriminal përfshirë dhe për Gilmandon Danin, për shkak se ky i fundit ka vdekur.

Dani, që ishte dhe një nga anëtarët më aktivë të grupit të Shullazit dhe krahu i djathatë i tij, u ekzekutua nëntorin e 2025 në rrethrotullimin e Aeroportit të Rinasit, kur sapo ishte kthyer nga Spanja. Viktimë e atentatit mbeti dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri.

Nga grupi kriminal që dtejohej nga Emiljano Shullazi i vetmi që vijon të jetë në qeli është vetë ky i fundit, edhe për shkak të faktit, se po gjykohet për akuza të tjera të rënda. Ndërsa, të tjerët kanë rifituar lirinë. Pasi kanë përfunduar dënimet, ndërsa Dani ishte liruar me kusht në kohën kur u ekzekutua.

Pas një procesi të gjatë dhe një konflikti të fortë brenda radhëve të ish-prokurorisë së Krimeve të Rënda, në nëntor 2018, ish-gjykata për Krime të Rënda e gjeti fajtor Emiljano Shullazin dhe e dënoi me 14 vite burgim për zhvatjen e pasurisë e kërcënimin e biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zarka, si dhe grup kriminal. Gilmando Dani u dënua me 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zelën me nga 10 vjet burg seicili, ndërsa Blerim Shullazi me 9 vjet burg.

Sipas vedrdiktit të gjykatës, ata u shpallën të pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynir Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule, si dhe për vendosjen e tritolit në garazhin e biznesmenit Jani Zarka.

Tri vite më vonë, ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Procesi për Shullazin dhe grupin e tij u zvarrit për një kohë të gjatë, për shkaqe të ndryshme, që nga mosparaqitja e avokatëve, të braktidsja e sallës së gjyqit nga të pandehurit apo mosformimi i trupës gjykuese.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb