Në kulmin e debatit publik mbi drejtësinë, e cila përballet me akuza se është represive dhe kryen arrestime në masë, Gjykata e Lartë ndërmerr iniciativë për të reformuar procedurën e caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg” përmes një vendimi unifikues.
Me një vendim të ndërmjetëm, kryetari i Gjykatës së Lartë e ka dërguar për diskutim në Kolegjet e Bashkuara një çështje konkrete, duke kërkuar njëshimin e praktikës gjyqësore lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe zyrtarët që po hetohen për korrupsion.
Sadushi analizon rastin e një të dyshuari për çështje droge, i cili fillimisht është lënë në arrest me burg nga Gjykata e Lezhës, ndërsa më pas Apeli e ka liruar në arrest shtëpie. Prokuroria ka ushtruar rekurs për rastin dhe kërkon rikthimin e tij në burg, duke pretenduar se shkalla e dytë gjyqësore nuk ka analizuar si duhet kushtet dhe kriteret mbi të cilat ka vlerësuar masën më të ashpër të ligjit, privimin nga liria.
Rasti konkret, sipas Sokol Sadushit, nuk paraqet interes vetëm për zgjidhjen e rastit individual, por ngre nevojën për të vlerësuar nëse praktika e konsoliduar nga vendimi unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, duhet të vijojë të mbahet në të njëjtin kuptim apo kërkon rishqyrtim të pjesshëm.
Në arsyetimin e tij, Sadushi sjell në vëmendje disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë rastin e Thoma Gëllcit, ish-drejtor i përgjithshëm i televizionit publik shqiptar, mbajtja nën arrest me burg e të cilit u konsiderua shkelje e të drejtave themelore.
Në vendimin që mban firmën e Sokol Sadushit, analizohet se për të provuar një person nga liria duhet të plotësohen disa kushte, si dyshimet e arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, rrezikshmëria që ai paraqet, rreziku për t’i shmangur drejtësisë, apo për të prishur provat ose intimiduar dëshmitarët.
Kolegjet e Bashkuara do t’i japin përgjigje pyetjes se: “A mund të përdoret arsyetimi i rrezikshmërisë së veprës penale apo personit, pa një vlerësim konkret të rrethanave të rastit dhe të personit, si kriter për caktimin e masës së arrest me burg?”
Duket se pikërisht këtu qëndron dilema, pasi në të ardhmen zyrtarët e lartë mund të përfitojnë nga kjo lëvizje, duke pretenduar se nuk përbëjnë rrezik dhe kërkojnë lirimin nga paraburgimi.
