Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesat për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Mario Çelën dhe Sergej Hasanpapajn, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme ndaj tyre. Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.

Mario Çela, vëllai i të shumëkërkuarit Suel Çela, u arrestua në Belgjikë me urdhër të SPAK dhe më pas u ekstradua në Shqipëri. Ai përballet me akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion aktiv në sektorin privat.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Mario Çela ka pasur rol drejtues në koordinimin e aktiviteteve të grupit kriminal që lidhet me vëllain e tij, duke përfshirë trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, veprimtari korruptive, pastrim parash dhe ngjarje të rënda kriminale.

Ndërkohë, Sergej Hasanpapaj u ekstradua nga Belgjika në muajin shkurt dhe akuzohet për përfshirje në vrasjen e Bledar Muçës, ngjarje e ndodhur në vitin 2022 në Belgjikë. Ai ishte arrestuar nga autoritetet belge po atë vit dhe konsiderohet një personazh i njohur në dosjet kriminale të Elbasanit. Hasanpapaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2024 ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” për veprat penale të vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë, kryer në kuadër të organizatës kriminale, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Të dy janë pjesë e procesit gjyqësor që po zhvillohet në GJKKO ndaj 21 të pandehurve të dyshuar si anëtarë të grupit kriminal të Suel Çelës.

Sipas SPAK, grupi dyshohet se ka organizuar disa operacione të trafikimit ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Hetimet përfshijnë një rast të tentativës për trafikimin e rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Europës në fund të vitit 2020, si dhe një tjetër episod me 466 kilogramë kokainë të destinuar për në Holandë në janar të vitit 2021.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb