Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku u vra në krye të detyrës gjyqtari Astrit Kalaja.
Në një deklaratë zyrtare, Gjykata shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për këtë krim të rëndë, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj vetë parimeve të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
“Gjykata përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, duke nderuar kujtimin e një magjistrati që i ka shërbyer me përkushtim e dinjitet drejtësisë,” thuhet në reagim.
Gjykata Kushtetuese thekson se mbrojtja e jetës dhe sigurisë fizike të gjyqtarëve, qytetarëve dhe publikut në institucionet e drejtësisë është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm.
“Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shtetërore,” nënvizon deklarata.
Gjykata riafirmon vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit, si një shtyllë themelore e rendit kushtetues, dhe u shpreh solidaritetin e saj me familjen e gjyqtarit Kalaja dhe gjithë trupën gjyqësore në këtë moment të vështirë.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese uroi shërim të shpejtë për dy qytetarët e plagosur në këtë ngjarje tragjike, e cila ka tronditur thellë opinionin publik dhe institucionet shtetërore.
