TIRANE-Gati 10 vjet pasi Irena Seli hipi në tragetin e linjës Trieste-Durrës, nga i cili nuk u mësua kurrë nëse zbriti apo jo, Gjykata e Tiranës e shpall atë zyrtarisht të zhdukur. “Panorama” zbardh vendimin e gjykates dhe shkruan se togat e zeza të kryeqytetit kanë pranuar kërkesën e Bruno Mushës, djalit të Irena Selit, për shpalljen e zhdukjes së nënës së tij.
Seli humbi gjurmët pak pas mesditës së 15 dhjetorit 2004, kur trageti me të cilin ajo dhe bashkëshorti i saj udhëtuan nga Italia në Shqipëri, u ankorua në Portin e Durrësit. Hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit për zhdukjen e Irena Selit dhe dyshimet për vrasje nuk dhanë rezultat, duke lënë në mister këtë ngjarje.

Hetimet provuan vetëm se Seli kishte hipur në traget, por nuk zbardhën faktin nëse kishte zbritur prej tij.
Dosja penale e zhdukjes së Irena Selit u hetua për më se dy vjet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pasi hetimi nuk arriti asnjë rezultat, u vendos pezullimi i dosjes dhe më vonë fashikulli i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Durrësit. Kjo e fundit i mbajti formalisht të hapura hetimet pa rezultat dhe në fund vendosi mbylljen e dosjes pa pistë, pa autor dhe pa asnjë rezultat.
Për rrjedhojë, fati i Irena Selit nuk u mësua asnjëherë, ndërsa familja e saj nuk mori asnjë lajm për gruan e zhdukur, edhe pse iu adresua të gjitha institucioneve të shtetit duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes.

Kërkesa për shpalljen e saj të zhdukur është depozituar në Gjykatë në qershor të vitit 2012 dhe shqyrtimi i saj ka zgjatur 20 seanca gjyqësore. Në vendimin e shpallur nga një treshe e kryesuar nga gjyqtarja Marjana Shegani (Dedi), i zbardhur ditët e fundit, jepen detaje mbi udhëtimin e Selit para
zhdukjes. Sipas të dhënave, ajo ka pasur disa zënka më bashkëshortin për shkak të xhelozisë së këtij të fundit. Në vendim gjykata e ka konsideruar të drejtë kërkesën e djalit të Selit. Referuar verdiktit të gjykatës, djali i Selit, kërkuesi Bruno Musha, caktohet kujdestar për administrimin e pasurisë së
nënës së tij, Irena Seli.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: