Njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, Haxhi Shala, është liruar nga Gjykata Speciale ku po mbahej në paraburgim.
Haxhi Shala u lirua sot më 10 shkurt 2026 dhe u kthye në Kosovë, pas vendimit të Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, për modifikimin e dënimit të tij më 2 shkurt 2026.
Lirimi u bë me kushte, të cilat do të zbatohen për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vjetësh, njoftojnë Dhomat e Specializuara.
Sipas njoftimit Gjykatësja Trendafilova mori parasysh shenjat e rehabilitimit të Haxhi Shala, letrën e tij ku shprehte keqardhje ndaj të prekurve nga veprimet e tij, marrëdhëniet familjare pozitive dhe rrjetin e tij shoqëror, që sipas saj tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi.
Megjithëse veprat për të cilat Shala u shpall fajtor konsiderohen të rënda, Gjykatësja Trendafilova vlerësoi se iniciativa e tij për të shkruar letrën ishte e vetëdijshme dhe pa ndihmë ligjore, si një distancim i sinqertë nga veprat penale.
Sipas ligjit, procedurat për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimeve janë individuale, dhe shqyrtimi bëhet vetëm pasi një person ka vuajtur dy të tretat e dënimit.
Shala u akuzua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes Januzi dhe Bahtijari me çështjen Haxhi Shala Më 4 shkurt 2025, Trupi Gjykues miratoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe shqiptoi dënimet: Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim.
Ndryshe Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor 2025 se dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij./ RTK
