TIRANE- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur seancën dëgjimore me gjykatësin pranë Gjykatës së Lartë, Artan Broci, i cili do t’i nënshtrohet ‘filtrave’ të vettingut. Trupa e KPK përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Sipas KPK, që i referohet raportit të ILDKPKI rezulton se Artan Broci nuk ka bërë deklarim të rremë të pasurisë.

“Subjekti nuk ka bërë deklarim të rremë të pasurisë. Ka apartament 143 m² në Don Bosko. Për apartamentin në Don Bosko ka përputhje për çmimin. Artan Broci ka një tjetër apartament 159 m² në Don Bosko dhe apartament 147 m² në  Rashbull”- thuhet ndër të tjera në raportin e KPK.

Por gjatë hetimit të thelluar, KPK konstatoi se Artan Broci ka probleme me shtyllën e  pasurisë, pasi ka rezultuar me mospërputhje çmimesh për një apartament që ka blerë dhe ka shmangur taksat.

Subjekti u mbrojt duke u shprehur se ka paguar detyrimet, por zyra e tatimeve nuk jep të dhënat. Gjykatësi ka marrë notë pozitive për aftësitë profesionale dhe nuk ka kontakte me njerëz të krimit.

Artan Broci e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai e ushtroi funksionin pranë kësaj gjykate deri në vitin 2010, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në prill të vitit 2013, Broci u dekretua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Paralelisht me detyrën si gjyqtar, Broci ka qenë edhe asistent-pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është angazhuar si ekspert në disa projekte si dhe ka dhënë kontribut në reformën e drejtësisë për të miturit në Shqipëri.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb