TIRANE– Kërkesës së gjykatësit Shkëlqim Miri për t’u liruar për arsye shëndetësore, ekspertet i janë përgjigjur duke kërkuar edhe më shumë kohë.

“News24” dhe “BalkanWeb” mësojnë se ekspertet e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda kanë kërkuar edhe një javë kohë për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore, nëse i rrezikohet apo jo jeta po të qëndrojë në qeli.

Aktualisht gjykatësi është transferuar në 1 spital privat të Tiranës, ndërsa është arrestuar për korrupsion. Gjykatësi ka dëshmuar më herët se është i sëmurë nga një tumor, ndërsa deklaroi se i rrezikohet jeta në qelinë e burgut.

Gjyqtari Miri, ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda prej të paktën 6 muajsh. Ai dyshohet se ka marrë një shumë parash për të lënë në fuqi vendimin e dënimit që favorizonte një të dënuar për vrasje, (Gentian Doda) të cilit i ishte ndryshuar akuza nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje.

Pas hetimeve dhe përgjimeve, prokuroria krijoi bindjen se gjyqtari e kishte marrë këtë shumë parash, pasi vendimi i dhënë prej tij ishte ai që pritej nga familjarët e të dënuarit. Për të provuar këto dyshime, organi i akuzës kërkoi leje nga gjykata për kontrollin e banesës së gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Dhe në fakt kontrolli rezultoi efikas, pasi gjyqtarit iu kapën rreth 300 milionë lekë në banesë. Konkretisht atij iu sekuestruan 174 mijë e 810 euro, 1 milion e 149 mijë lekë dhe 1 mijë dollarë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb