Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish pagat e gjyqtarëve. Rama në podkastin e tij flasim u shpreh se gjykatësit duan të rrisin vetë  pagat e tyre, të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

“Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që  luftojmë bashkërisht.  Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatesit për të rritur pagat e tyre.

Po, po e dëgjuat mire, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre.  Jo për herë të parë, fatkeqesisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjeshtë të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqiperisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për Spak-un.  Një shprehje e urtë italiane thotë “due indizzi non fanno una prova”, dy indicie nuk përbejnë një provë – çka sot ne fakt po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbejnë, jo një provë, po dy dënime.  Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë  bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë  pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: