Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ndodhet përballë një situate paradoksale, ku gjyqtarët synojnë të imponohen mbi dy pushtetet e tjera, parlamentit dhe qeverisë duke krijuar një precedent të rrezikshëm institucional.
Ai kujtoi se sistemi i referencës i miratuar në vitin 2016 kishte një qëllim të qartë dhe të kufizuar në kohë: forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në kuadër të reformës në drejtësi, përmes pagave më të larta se ato të funksionarëve të tjerë, si sinjal i fortë i vullnetit shtetëror për një drejtësi të pavarur dhe të respektuar.
Shqipëria, sipas tij, mbetet ndër të paktat vende ku gjyqtarët paguhen më shumë se Presidenti, deputetët dhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit.
Në këtë kontekst, Rama kritikoi ashpër edhe argumentin e paraqitur gjatë seancës, sipas të cilit gjyqtarët “sjellin të ardhura” në buxhetin e shtetit përmes gjobave dhe konfiskimeve, duke pretenduar se kjo justifikon rritjen e pagave.
Ai e cilësoi këtë arsyetim si absurd dhe të rrezikshëm, pasi hap rrugën për një logjikë ku edhe administrata tatimore, doganat apo policia mund të kërkojnë paga më të larta bazuar në të ardhurat që gjenerojnë, madje deri në përvetësimin e gjobave.
“Gjykata Kushtetuese para pak ditësh publikoi regjistrimin e seancës ku gjykatësit, dy shoqata, kërkuan nga GJK t’u rritet paga.
Po të dëgjosh atë regjistrim të seancës realisht ndjehesh në vështirësi të madhe duke menduar që këta janë njerëzit që gjykojnë e japin drejtësi ndërkohë që filli i logjikës së atyre që u ballafaquan me GJK lë tejet për të dëshiruar. Nuk është çështje personash dhe nuk kam asnjë qëllim e dëshirë të bëj polemikë me askënd. Por ja si flet një prej tyre: Jam gjyqtar karriere dhe qytetar aktiv. I thotë gjykatës që tenton ta bëjë këtë fshehurazi duke shfrytëzuar fushatën zgjedhore. Bën edhe ironi me nivelin e demokracisë, kur e vërteta është që në Shqipëri pagat e gjykatësve sot në Shqipëri, janë të njëjta me ato të gjyqtarëve në Greqi, por 2 fish më të larta se homologët në Maqedoni e Mal të Zi. Gjykatësit duan t’i imponohen Parlamentit dhe qeverisë për të rritur pagat. Një tjetër thotë: Ne i sjellim para buxhetit të shtetit ndaj duhet të na rritet paga. Shpresoj shumë që GJK të mos ia lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë e të mos na bëjë të marrim ilaçe të tjera”, tha Rama.
