TIRANE- Në seancën e radhës të zhvilluar tek Krimet e Rënda ndaj 9 të pandehurve si rekrutues të xhihadistëve, është dëgjuar sot dëshmia e kreut të KMSH-së Skënder Bruçaj.
Ky i fundit thotë se dy xhamitë ku vepronin 9 të pandehurit nuk kanë qenë nën varësinë e Komunitetit Myslyman Shqiptar dhe se imamët në këto dy xhami nuk janë emëruar prej KMSH.
“Dy xhamitë nuk kanë qenë nën varësinë e KMSH, imamët në këto dy xhami nuk janë emëruar nga ne. Dy xhamitë në fjalë ishin të ndërtuara pa leje. Këto dy xhami i kemi referuar në prokurori si xhami ku mund të predikohej islami radikal”,- tha Bruçaj.
Ai shtoi më tej se: “Kemi ndjekur me vëmendje procesin. Urojmë që ky proçes të përfundojë sa më shpejt. E drejta për t’u gjykuar është e drejtë e çdo njeriu”,- tha ai.
Më tej një nga imamët e akuzuar, Gert Pashja deklaroi se veprimtarinë e tij e ka bazuar në një libër të KMSH-së.
(ma.ar/BalkanWeb)
